TIRANË- Lista e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm është zyrtarizuar me 5 kandidatë.
Në garë janë: Adnan Xholi, Rovena Zoto, Ylli Pjetërnikaj, Fatjona Memçaj dhe Arta Marku. Ndërkohë, mësohet se prokurori Kreshnik Ajazi ka dorëzuar dokumentet pranë KLP-së, por më pas është tërhequr nga gara.
Afati 30-ditor për dorëzimin e kandidaturave përfundoi më 1 gusht në orën 00:00.
I pari që dorëzoi aplikimin në KLP ishte prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi. Më pas në garë u regjistruan Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj, ndërsa në ditët në vijim aplikuan edhe Fatjona Memçaj dhe Arta Marku.
Profilet e kandidatëve:
Adnan Xholi është prokuror i posaçëm në SPAK dhe më herët ka mbajtur detyrën e drejtuesit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka kandiduar edhe më parë dy herë për postin e kreut të SPAK-ut, ndërsa tashmë synon drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Rovena Zoto ushtron detyrën e prokurores që prej vitit 2010, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Zoto ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke ushtruar më herët detyrën e prokurores në Prokurorinë e Lushnjës dhe më pas në Tiranë. Prej vitit 2021, Rovena Zoto ushtron detyrën si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, ku ka punuar në seksionet për Narkotikët, Trafiqet, Krimet e Rënda ndaj Jetës dhe më pas në Seksionin e Posaçëm. Që prej marsit 2026, ajo drejton Seksionin për Drejtësinë Penale për të Miturit.
Ylli Pjetërnikaj është prokuror dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Ai mban gradën akademike Doktor i Shkencave në fushën e së drejtës. Pjetërnikaj ka shërbyer si prokuror në Prokuroritë e Kukësit, Lezhës, Tiranës dhe Shkodrës, ku ka mbajtur edhe funksionin e drejtuesit të Prokurorisë.
Fatjona Memçaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe është prokurore në Eurojust, në mandatin e dytë. Gjatë viteve 2008-2013 ka mbajtur detyrën e Drejtoreshës së Çështjeve Ligjore në Presidencë, ndërsa ka qenë edhe shefe kabineti e Prokurorit të Përgjithshëm.
Arta Marku, ish-prokurore e Përgjithshme e përkohshme. Marku u diplomua në shkollën e magjistraturës në vitin 2001. Një vit më pas u emërua në Prokurorinë e Shkodrës ku mbajti detyra të ndryshme, që nga shefe e njësisë task forcë në 2006 e deri zëvendës drejtuese deri në 2016. Në vitin 2017, Marku u zgjodh nga Kuvendi si Prokurore e Përgjithshme e përkohshme, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës. Ajo e mbajti këtë detyrë deri në vitin 2019, kur u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm i ri, Olsian Çela.
Deri më 14 gusht, KLP do të kryejë verifikimin e kritereve ligjore të kandidatëve. Pas përfundimit të këtij procesi, KLP do t’i propozojë Kuvendit tre emra, nga të cilët do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar.
KLP hapi procedurën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm përmes një thirrjeje publike, pasi mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti./ZËRI