Aktualitet

Qeveria i jep statusin “investitor strategjik” Jared Kushner

Qeveria i ka dhënë Statusin e Investitorit Strategjik Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.

k.m.
Qeveria i jep statusin “investitor strategjik” Jared Kushner
Jared Kushner

TIRANË- Qeveria e Shqipërisë ka miratuar kërkesën e Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, duke i dhënë statusin e investitorit strategjik. Projekti synon ta shndërrojë këtë ishull në një resort luksoz. Ndaj edhe sipas qeverisë, resorti me vlerë 1.4 miliardë eurosh përmbush kriteret e parashikuara në legjislacionin për investimet strategjike.

“Investimi i projektuar plotëson kriteret për numrin e vendeve të punës siç kërkohet me legjislacionin për investimet strategjike. Gjatë pjesëve zhvillimore dhe operacionale të investimit parashikohet punësimi i 1000 personave,”- thuhet në vendim.

Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), VLERËSOI:

-Projekti i investimit është në përputhje me kriteret e parashikuara në nenin 8 të Ligjit Nr. 55/2015, i ndryshuar, dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1023, datë 16.12.2015 “Për nënsektorët strategjikë dhe zonat me përparësi zhvillimi”;

-Procedura e vlerësimit të projektit bazohet në nenin 25 të Ligjit Nr.55/2015, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1026, datë 16.12.2015 “Për vlerësimin e dokumentacionit të investimeve strategjike” dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e InvestimeveStrategjike (FPPMIS)”;

-Vlera e investimit të projektit turistik "Resorti Turistik - Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro;

-Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 (një mijë) persona;

-Projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.

- Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha sipas gjurmës në Aneksin 1 të këtij vendimi.

-Projekti i investimit do të ndahet në Faza 1, Faza 2 dhe Faza 3, sipas masterplanit bashkëlidhur këtij vendimi në Aneksin 2. Projekti përfshin ndërtimin e strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha.

-Projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit, në Bashkinë Vlorë.

- Sipërfaqja ujore rreth ishullit bën pjesë pjesërisht në Parkun Kombëtar Detar “Karaburun-Sazan”, shpallur me VKM-në Nr. 59, datë 26.01.2022, i ndryshuar.

-Brenda sipërfaqes së ishullit të Sazanit ndodhen “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të shpallura monument natyre. Referuar VKM-së Nr.515 datë 18.7.2003 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes”, i ndryshuar, rezulton se Ishulli i Sazanit është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

- Referuar dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 398, datë 02.12.2024, “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, miratuar me dekretin Nr. 8593, datë 17.06.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, rezulton që struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, del jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura sipas Aneksit 3.

- Duke qenë se ishulli i Sazanit është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka qenë “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan”, rezulton se në ishull nuk gjenden sipërfaqe të miratuara si stacione plazhi.

Kushner zbuloi planet për të investuar në Shqipëri në mars të vitit të kaluar, gjë që ngriti pikëpyetje nëse bizneset e tij po përfitonin nga ndikimi i statusit të vjehrrit të tij, Donald Trump, presidenti i ardhshëm i Shtetet e Bashkuara. Kushner ka propozuar gjithashtu zhvillimin e zonës së Zvërnecit, e cila bie në zonën e mbrojtur mjedisore të Narte-Zvërnecit, por për këtë të fundit nuk ka ende një vendim.

PROJEKTI

Jared Kushner, dhëndri i Donald J. Trump, do investojë nëpërmjet firmës së tij të investimeve, Affinity Partners, e cila ka 2 miliardë dollarë financim nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, mes investitorëve të tjerë të huaj. Kushner krijoi kompaninë e tij të investimeve pasi la punën e tij në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar i lartë. Vetë Kushner në një intervistë për agjencinë e lajmeve Bloomberg ndau disa imazhe të projektit që pritet të ndërtohet në Sazan.

Në imazhet e publikuara shihet se mes pyejeve do të ndërtohet një resort luksoz nga marka Aman.'Aman' u themelua në vitin 1988 me vizionin e ndërtimit të një koleksioni strehimesh intime me mikpritjen e ngrohtë të një shtëpie të këndshme private. 'Aman' ka marrë përsipër ndërtimin e pronave në shumë vende të tjera me bukuri të patejkalueshme, parqe të mbrojtura dhe 15 brenda ose pranë vendeve të trashëgimisë së UNESCO-s. Pronat Aman janë të vendosura në Butan, Kamboxhia, Kinë, Republikën Domenikane, Francë, Greqi, Indonezi, Indi, Itali, Japoni, Laos, Meksikë ( 2024), Mali i Zi, Maroku, Filipinet, Sri Lanka, Tajlanda, Turqia, Ishujt Turks & Kaikos, SHBA dhe Vietnami.

Përveç investimit në Shqipëri, Jared Kushner ka gati dhe një tjetër investim. Një projekt i tretë do të transformonte tre blloqe të braktisura në zemër të kryeqytetit serb Beograd në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-Qeverisë së Jugosllavisë.

Historia e Ishullit të Sazanit

Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometrash katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Aty ende ka tunele dhe llogore nga koha kur ishte bazë ushtarake për t’u bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet luftarake, artileria bregdetare etj. Gjatë periudhës së komunizmit ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.  Ndërkaq, gjatë Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti më i vështirë për ushtrinë  shqiptare. Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe. Në kodrat e ishullit Sazan ende gjenden rreth 3 600 bunkerë. Ishulli, që dikur ishte bazë e 3 000 trupave ushtarake, në vitin 2010 u shpall park i mbrojtur.

Sazani përdorej si vend për stërvitje dhe operacione ushtarake. Tani aty qëndrojnë vetëm disa marinarë, të cilët kanë detyrë t’i kontrollojnë aktivitetet e paligjshme mes Shqipërisë dhe Italisë. Në këtë ishull ndodhet plazhi i vetëm, ai i Admiralit. Ishulli i Sazanit tani është një guidë turistike dhe është në dispozicion të turistëve. Për të vizituar këtë ishull tanimë shteti shqiptar u ka dhënë leje anijeve turistike dhe motoskafëve të shumtë që të bartin turistë nga Porti i Vlorës dhe nga Radhime e Orikumi. Por ka ditë që plazhi i ishullit mund të jetë i mbyllur për ditë me radhë, por nuk mund të lejohen vizitorë për shkak se mund të ketë stërvitje të foracave ushtarake./ZËRI

DOKUMENTI I PLOTË I AIDA-s PËR PROJEKTIN E KUSHNER:

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB