Aktualitet

SPAK në vitin 2024! Mes politikës dhe krimit të organizuar

Nëse analizojmë të dhënat e matjeve në kohë, vlerësimi pozitiv për punën e këtij institucioni është rritur por gjithsesi kjo ka qenë një rritje e ekuilibruar dhe graduale. Pra, ka ardhur në rritje bashkë me shtimin e dosjeve javë pas jave dhe muaj pas muaji.

Florida Mingla
SPAK në vitin 2024! Mes politikës dhe krimit të organizuar
SPAK dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë kryefjala e vitit 2024. Ka goditur majtas dhe djathtas, politikë dhe krim të organizuar, duke bërë që të ngjitet në majat e ‘kualifikimeve’ përsa i përket besueshmërisë tek qytetarët.

Nga sondazhi i zhvilluar nga “Barometri”, ata që e vlerësojnë pozitivisht punën e SPAK janë 56.8% e qytetarëve, përkundër 17,2% që e vlerësojnë negativisht punën e këtij institucioni dhe 24.6% që janë neutralë në vlerësim.

Nëse analizojmë të dhënat e matjeve në kohë, vlerësimi pozitiv për punën e këtij institucioni është rritur por gjithsesi kjo ka qenë një rritje e ekuilibruar dhe graduale. Pra, ka ardhur në rritje bashkë me shtimin e dosjeve javë pas jave dhe muaj pas muaji.

Altin Dumani u shfaq për herë të parë në një intervistë televizive.

Edhe pse nuk dha asnjë detaj lidhur me hetimet dhe u tregua mjaft i cunguar në këtë drejtim për shkak të sekretit hetimor, kreu i SPAK doli për herë të parë në një ekran televiziv për të folur për punën e institucionit që ai drejton.

Dumani zgjodhi ekranin publik, atë të RTSH-së për të shmangur çdo aludim lidhur me linjën editioriale që mund të kenë televizionet e tjera dhe për herë të parë, pesë vite pas krijimit të institucionit të drejtësisë së re në vend, shprehu gatishmërinë e institucionit për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, si një mënyrë edhe për përmirësimin e performancës së hetimeve të SPAK. Ai bëri të ditur gjithashtu se me mbylljen e procesit të vetingut, në fund të muajit dhjetor, drejtuesi i SPAK do të marrë edhe kompetencat e Komisionerit Publik.

Vlerësimi i SPAK kulmoi me atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Altin Dumani u shpall nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si një ndër kampionët globalë të luftës kundër korrupsionit, por ky vlerësim nuk është një nderim personal për Dumanin, por një mesazh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin ecurinë e drejtësisë së re në Shqipëri dhe punën e saj në vendin tonë.

Në një kohë kur në politikën shqiptare zhvillohet një stuhi akuzash se kush e solli drejtësinë e re apo se kush e reformoi drejtësinë, përfshirë këtu edhe vetë kryeministrin Edi Rama, i cili është shprehur se ka qenë Partia Socialiste ajo që ka ngritur siparin e një drejtësie të pakomanduar dhe jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerësimin e dhënë nga DASH, Altin Dumani tregoi se nuk është një drejtues i zakonshëm…duke rikthyer në qendër të vëmendjes faktin se në vendin tonë, ka ardhur momenti që t’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

ZËRI ka renditur për ju dosjet më të nxehta që janë në duart e SPAK dhe që presin drejtim nga ky institucion, dosje me politikanë të lartë e jo vetëm…

Arrestimi i Ilir Metës mund të konsiderohet si maja më e lartë e politikës ku ka arritur të prekë Prokuroria e Posaçme, por ama jo e pushtetit. Meta u godit shtatë muaj para zgjedhjeve paralmentare dhe pas një vale sulmesh që kishte drejtuar pikërisht kundrejt SPAK, kreun e të cilit e ka quajtur jo pak herë’ dum dumani’ dhe e ka barazuar me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani.

Tashmë Meta, një nga figurat qëndrore të politikës shqiptare që përgjatë tranzicionit ka mbajtur postet më të larta shtetërore si kryeministër, kryetar i Kuvendit dhe President i Republikës, është pas hekurave dhe nën akuzë për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Ajo që bëri me shumë bujë nuk ishte fakti që Meta u arrestua, por mënyra. Kryetari i Partisë së Lirisë po kthehej nga Kosova dhe ishte nisur drejt selisë së partisë së tij, ku dhe do të mbante një konferencë me gazetarët, por rruga ju pre pranë qendrës tregtare “Casa Italia” nga forca të shumta të Operacionales, rreth orës 13:15 minuta të 20 tetorit 2024. 

ZËRI publikoi dhe videon e arrestimit të Metës, në të cilën dallohej se si efektivët nxorrën me dhunë ish-Presidentin nga makina. Edhe mënyra e prangosjes së tij ka hapur shumë debat. Meta dhe zyrtarët e Partisë së Lirisë kanë folur për dhunë, ndërsa vetë Policia e Shtetit për mosbindje nga ana e kreut të PL-së. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka dorëzuar dhe një kallëzim për efektivët që prangosën Metën, por deri më tani nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me nisjen apo jo të një hetimi.

Nën akuzë është vënë edhe Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, e cila është lënë nën masën e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe mbi të rëndojnë tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Por, kjo goditje në radhët e Opozitës, u duk sikur u barazpeshua me lirimin e kryedemokratit Sali Berisha.

Më 27 dhjetor, Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëroi heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Megjithatë SPAK nuk ka goditur vetëm djathtas. Nuk kanë qenë të paktë kryebashkiakët socialistë që njëri pas tjetrit janë paraqitur në dyert e SPAK për tu marrë në pyetje. Edhe pse, duhet thënë se situata e tyre, nuk është shumë e qartë.

Kryebashkiaku i Devollit Eduart Duro është marrë i pandehur dhe akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, për shkak të shkeljeve ligjore në dhënien e lejes dhe autorizimit për shoqërinë “Genci Petrol” sh.p.k.

SPAK thekson se në bazë të rezultateve të hetimit janë konstatuar shkelje nga Njësia Administrative Qendër Bilisht me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 për Shoqërinë “Genci Petrol” sh.p.k. për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll, Kapshticë. Prokuroria ka dyshime se kjo shoqëri që kur ka marrë lejen në vitin 2015 ka realizuar përfitime të padrejta.

Më konkretisht, nga aktet e administruara nga Prokuroria rezulton se Eduard Duro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Astrit Seferkolli, pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, me autorizimin “Për tregtimin me pakicë të karburanteve, në stacionin rruga nacionale Bilisht-Kapshticë, në afërsi të Doganës.

Autorizimi i mësipërm sipas SPAK është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në këtë kohë, shoqëria nuk ka qenë e pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar, çertifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës. Gjithashtu karburanti në fjalë ishte vendosur që të prishej në 4 Tetor të 2019 nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi akuzohet për “shpërdorim detyre”, “Prerje e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrim i pronës”.

Sipas hetimeve të SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Byberi dhe nënkryetari i bashkisë Abedin Kërnaja, kanë shkelur ligjin në miratimin e dy vendimeve në Këshillin Bashkiak për ndërtimin e rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 277 milionë lekësh.

Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.

Sipas SPAK, hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, pasi për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, dhe të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK. Edhe pse vetë Beci nuk ka pranuar të japë më shumë detaje mbi çështjen që po hetohet, raportimet e deritanishme bëjnë me dije se Beci dyshohet për shkelje të kryera gjatë detyrave të mëparshme dhe jo si kryebashkiak i Shkodrës. Benet Beci ka mbajtur dhe detyrën e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve si dhe ka qenë edhe drejtor i KESH-it, detyrë nga e cila u largua në 2021, kur kandidoi për deputet të Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës.

Edhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia është paraqitur dy herë për tu marrë në pyetje nga SPAK, por nuk ka preferuar të ndajë asnjë detaj me gazetarët. Deri më tani është raportuar se Spahia është marrë në pyetje lidhur me një vendim që ka marrë kur ushtronte detyrën e kryebashkiakut në Shkodër, për të larguar nga detyra drejtorin e ujësjellësit Mark Molla.

Ilir Beqja është zyrtari i radhës i socialistëve që po përballet me drejtësinë. Ai është vënë në pranga që prej korrikut të vitit 2024 dhe po hetohet për dy çështje, për dosjen e sterilizimit ku është bashkë me ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj si dhe gjithashtu akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, në bashkëpunim me vartës të tij gjatë viteve 2022-2023 kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me marrëveshjet e firmosura nga Shqipëria dhe Komisionit Evropian.

Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por ende SPAK nuk e ka një shifër ekzakte. Një prej bizneseve që shërbente për prerjen e faturave fiktive ishte dhe restoranti “Gzona”, pronari faktik i të cilit ishte vetë Beqaj, por që zyrtarisht rezultonte në emër të Ermal Kurtulajt.

Deri më tani SPAK ka sekuestruar 14.3 mln lekë, 15 mijë e 500 euro dhe 42 mijë e 300 $, që iu përkisnin shtetasve Ilir Beqaj, Gazment Haxhia, Ermal Kurtulaj, Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe Elton Marini.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij, pasi akuzohen se krijuan një skemë për përfitimin në mënyrë të parregullt të tenderave publikë dhe investimin e rreth 2.2 milionë eurove në pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë që ai kontrollon.

Gjatë kohës kur Berberi ka qenë drejtor i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137.4 milionë lekë lekë pa TVSH, me operator fitues shoqërinë e zotëruar nga Valter Begaj, “Net Group” sh.p.k., kurse gjatë kohës që ka drejtuar Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi të tjera në vlerën totale 101,8 milionë lekë, pa TVSH, me fitues bashkimin e operatorëve në të cilin ka qenë pjesëmarrës dhe shoqëria e Begajt. Po ashtu, ka rezultuar se shoqëria nën zotërim indirekt të Berberit ka përfituar të ardhura nga shoqëria e Begajt, në vlerën totale rreth 223.4 milionë lekë më TVSH.

Sipas ekstraktit historik të shoqërisë “DAAM shpk” që gjendet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezutlton se është themeluar në vitin 2017 nga Valter Begaj, i cili vitin 2018 i ka shitur kuotat e shoqërisë tek Evis Berberi. Ervis Lami në vitin 2017 është caktuar si përfaqësues i posaçëm i shoqërisë, ndërkohë që në vitin 2019, Evis Berberi i ka shitur kuotat tek aksionerja aktuale e shoqërisë “DAAM shpk”, shtetases B.B.

Arkiva e Agjencisë së Prokurimeve Publike tregon se Net Group ka fituar 298 procedura prokurimi në autoritete të ndryshme kontraktore nga viti 2017 deri në vitin 2024. Në vitin 2017, kompania fitoi 13 kontrata me vlerë të vogël për një total prej 870 mijë lekë. Por në vitet në vijim, numri i kontratavve dhe vlera e tyre u rrit në mënyrë dramatike. Në total kompania u shpall fituese për një vlerë të përgjithshme prokurimi prej 424 milionë lekësh. Kompania DAAM fitoi gjatë kësaj periudhe 25 procedura prokurimi me vlerë 25 milionë lekë.

Shkak për nisjen e hetimeve nga SPAK është bërë fatura e një udhëtimi që Berberi ka bërë së bashku me familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët e mitur, që është paguar nga shoqëria DAAM.

Bëhet fjalë për 10 ditë akomodim në hotelin “Regnum Carya Golf & Spa Resort” ne Belek, Antalia, Turqi, në një dhomë “Luxury”, së bashku me ushqimin “Luxury all inclusive”. Duke iu referuar të dhënave të sistemit TIMS, rezulto se Berberi, gruaja e tij Adela Ruko, dhe dy fëmijtët e mitur, kanë udhëruar nga Rinasi në Turqi me linjën “Charter -Antalia 670-ll”. 

Skema e kredive të këqija mund të jetë një nga dosjet më të ‘nxehta’ që është në duart e SPAK dhe pret mbylljen e hetimeve. ZËRI e ka ndjekur që nga dita e parë si çështje duke raportuar çdo denoncim të ngritur nga qytetarë që kanë rënë pre e kësaj skeme.

Procedimet e shumta të hetuara për këto zhvatje, të kallëzuara në prokurori që prej vitit 2018, janë bashkuar në një çështje të vetme. Hetimet kanë konkluduar se shoqëritë e përfshira në këtë skemë kanë vepruar si një entitet i vetëm dhe si një grup i strukturuar kriminal.

Prokuroria ka identifikuar si drejtues të këtij grupi Olsi Ibron, i cili humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik, bashkëshorten e tij Elda Ibro dhe Arben Meskutin. Hetimi paraprak i kryer nga prokurorët Antoneta Sevdari, Ndini Tavani dhe Arben Agovi ka evidentuar vlera në dhjetëra milionë euro të përfituara përmes zhvatjes së qytetarëve. Më 19 korrik, Prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e kuotave dhe aseteve të shoqërive MCA dhe Final. Ndërkohë, në muajin maj, u vendos masa e sigurimit “arrest me burg” ose “arrest shtëpie” për nëntë persona që dyshohet se kanë abuzuar me licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë, duke zhvatur qytetarët përmes rifinancimeve me kushte të këqija të kredive të vjetra.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili është nën hetim nga SPAK, dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar këto abuzime. Në një seancë dëgjimore në parlament, Sejko e konsideroi këtë problem si një çështje ligjore jashtë kompetencës së Bankës së Shqipërisë. Ai sugjeroi që Kuvendi të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbikëqyrur më mirë tregun e përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Nga hetimet e zhvilluara deri tanimë, prokuroria thotë se është provuar se duke filluar nga viti 2015, i ndjeri Olsi Ibro e bashkëshortja e tij Elda Ibro; pronari i shoqërisë përmbarimore ZIG, Arben Meskuti dhe vëllai i bashkëjetueses së tij, Indrit Çuberi; ish-përmbaruesi i ZIG, Alban Kote dhe ish-punonjësit e e kësaj shoqërie, Aldo Daka e Albert Gega; të hetuarit Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda, të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare të kallëzuara, janë ndihmuar në veprimtarinë e tyre nga viti viti 2021 e në vijim nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, si dhe kanë bashkëpunuar me eksperten vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo.

Të gjithë së bashku kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga bankat e nivelit të dytë prej shoqërive MCA sh.p.k., në pronësi të Elda Ibros dhe Final sh.p.k, në pronësi të Meskutit.

Po ashtu, është konstatuar se detyrimet mblidheshin me metoda të paligjshme, edhe tek familjarët apo të afërmit e debitorëve, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare. Në rast të mosshlyerjes së detyrimeve, pronat e paluajtshme të debitorëve kaloheshin në pronësi të MCA dhe Final përmes ankandeve fiktive.

Goditja e kompanisë “5D” mund të konsiderohet si maja më e lartë e pushtetit që ka arritur të godasë SPAK deri më tani. Institucioni i drejtuar nga Altin Dumani ka mbyllur hetimet për 7 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes të cilëve Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e njohur si 5D nën akuzat e korrupsionit, mosdeklarimit të pasurisë, pastrimit të parave dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Molla dhe Qato, teksa mbanin drejtimin e “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a apo IMT kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k..

Kjo kompani nga viti 2016 deri në 2020 ka përfituar 12 tendera nga UKT, nga Bashkia e Tiranës, “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a. dhe ka realizuar përfitime monetare në total në shumën 192,779,188 lekë”.

Në procedurat e tenderimit, ku kompania është shpallur fituese, është favorizuar nga ish-zyrtarët e tjerë të marrë nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, mes të cilëve edhe Taulant Tusha.

Megjithatë, Bashkia Tiranë, institucioni që luan një rol mjaft kyç në zgjedhjet parlamentare, nuk është prekur vetëm në nivel drejtorësh. Ai që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, vëllai i tij, Arbër Veliaj dhe nëna e tij, Shqiponja Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj është marrë në pyetje dy herë nga SPAK. Herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës. Hera e dytë ishte më 26 dhjetor, kur për më shumë se pesë orë, kryebashkiaku Veliaj u mor në pyetje nga SPAK, por pas daljes që aty nuk dha asnjë koment për mediat. Nga ana tjetër, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, u paraqit në SPAK mbrëmjen e të hënës, më 23 dhjetor dhe u mor në pyetje për rreth 3 orë. Gjithashtu, më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Më pas, së bashku me vetë Xoxën, hetuesit u paraqitën dhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh me hetimet kundrejt familjes së kryebashkiakut dhe Prokuroria e Posaçme e ka konfirmuar nisjen e një hetimi, por nuk ka dhënë më shumë detaje. Vetë Veliaj është mbrojtur duke thënë se është denoncuar nga një qytetar anonim, Nesti Angoni. Por, ka gjetur edhe përkrahjen e kryeministrit Edi Rama, i cili në konferencën e fundvitit është shprehur se Veliajt po i bëhet gjyq publik, po i cënohet jeta dhe se kërkimi i gijotinës për të, është skandaloz. 

Hetimi i Veliajt u pasua me një tjetër goditje, atë të Belind Këlliçit, i cili e ka sfiduar për postin e kreut të Bashkisë Tiranë. Kallëzimi për Këlliçin është depozituar nga avokati Idajet Beqiri dhe tashmë demokrati po hetohet për për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit si kandidat për deputet dhe kandidat për kryetar bashkie të Tiranës. Vetë Këlliçi është shprehur se është pyetur edhe për pasurinë e partneres së tij, Ana Shkreli, për të cilën është shprehur se jeton me familjen e saj, por që pyetjet nga SPAK, sipas tij, i janë drejtuar sikur të bashkëjetonte me të dhe të kishte përgjegjësi për deklarimin e pasurisë së saj. Një tjetër çështje për të cilën është pyetur Këlliçi është fotoja me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Këtë vit ka pasur edhe çështje që kanë bërë bashkë politikën me krimin, siç ishte dhe rasti i ish-deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja. Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit dhe vetëm dy ditë më pas u vu në pranga.

Sipas SPAK, rezulton se ish-deputeti ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim. Gjithashtu, Çyrbja akuzohet se ka siguruar strehë për Altin Hajrin, një person që është shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës si dhe ka informuar subjekte të drejtësisë për lëvizjet e operacionet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që tu shpëtonin prangave. Një prej tyre është edhe Kreshnik Farruku alias Kreshnik Budlla. Bashkë me Çyrbjan u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Të gjitha këto shërbime, sipas Prokurorisë së Posaçme, Çyrbja i kishte bërë pasi në këmbim ka pasur ndihmën e këtyrë personazheve të inkriminuar për të fituar mandatin e deputetit. Në pyetje nga SPAK është marrë dhe Adrian Çela, i cili ka qenë drejtues politik për zonën e Durrësit, në kohën që kandidoi Çyrbja.

Në luftën kundër krimit të organizuar, mund të themi fare mirë se SPAK ka pasur një bashkëpunëtor të ngushtë, SKY ECC.

Dosja prej 240 faqesh e SPAK ka zbardhur episode kryesore që tregojnë se ‘era’ në vitin 2020 kishte filluar të fryjë ndryshe dhe ata që dikur ishin miq, ishin bërë armiq. Këtu mund të përmendim edhe përplasjen mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës. Gjithashtu, përgjimet zbardhën ndarjen në dy kampe të grupeve kriminale që operonin në zonën e Lezhës, Laçit dhe Shkodrës.

Si pasojë e zbardhjes së bisedave në SKY ECC, Durim Bami ndodhet i arrestuar në Dubai, pasi SPAK e akuzon për veprën penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, në dëm të Arben Ndokës, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit dhe Hektor alias Tori Xheçukës. Nga ana tjetër Durim Bami, kërkon të mos ekstradohet në Shqipëri me pretendimin se në këtë vend i rrezikohet seriozisht jeta, pasi është përndjekur në mënyrë sistematike nga 18 persona që donin të vrisnin atë dhe të vëllanë, Valter Bamit. Kryesori ishte Durimi, por nëse eliminoheshin të dy, ishte një fitore e madhe për të gjithë personat që ishin bashkuar për këtë mision, por dështuan. Arben Ndoka donte ta vriste pasi mendonte se Durim Bami kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndokës. Ndoka ishte bërë bashkë me Martinajn, Bajrat e Shkodrës, Avdylajt e Shijakut, Emiljano Shullazin në burg dhe bashkë me ‘killerat’ krijonin një grup prej 16 personash. Por planet ‘ranë’. I pari dështoi pasi vetë djali i të ndjerit, Samuel Ndoka e kishte nisur duke përhapur fjalë për vrasjen. Tentativat e tjetër dështonin pasi ‘killerat’ ose arrestoheshin, ose vriteshin. Vetëm një atentat është realizuar në vitin 2020, të cilit Durim Bami i mbijetoi. Në ngjarje mbeti i plagosur vetëm kushëriri i tij, Ervin Kodra. Nga ana tjetër, Durim Bami ishtë bërë aleat me Leonard Dukën dhe bashkë planifikonin vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka e të Ervis Martinajt. Për vrasjen e dyshes Ndoka-Martinaj ishin të interesuar edhe Xhelal Rraja, Endrit Dokle dhe Marklen Haka. Nga të dy grupet, Marklen Haka është personi që ndërron ‘palë’ herë pas here, herë bëhet me Bamin dhe herë shfaqet duke biseduar me Martinajn për të vrarë Bamin.

Mbetet për tu parë nëse Bami do të ndjekë hapat e Plaurent Dervishajt dhe të Julian Meçajt dhe do të ekstradohet në Shqipëri.

Dy dosjet e tjera që mund të përmendim janë ato të rënies së ‘perandorisë së Çopjave’ dhe të Suel Çelës. Organizata e Çopjave e drejtuar nga dy vëllezërit, Hajdar dhe Franc Çopja tregoi një skemë të mirëorganizuar në pastrimin e parave, që nga dërgimi i tyre në Shqipëri e deri tek investimi në pasuritë e paluajtshme. Ndërsa dosja e Suel Çelës e kishte fokusin diku tjetër, tek mënyra se si kishte arritur të kishte nën ‘shërbim’ edhe institucionet më të rëndëishme të drejtësisë në Elbasan dhe jo vetëm.

Të gjitha këto dosje që renditëm janë në hetim sipër, shumë pak prej tyre kanë kaluar në duart e GJKKO-së dhe mënyra se si do të vijojë ecuria e tyre do të jetë vendimtare për Prokurorinë e Posaçme dhe drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, për të ruajtur besueshmërinë që ngriti gjatë këtij viti dhe për të qenë edhe kryefjalë e vitit 2025, siç ishte në vitin që lamë pas./ZËRI/

Poll

MOS HUMB