Aktualitet

Tentoi të qëllonte efektivët e policisë, Gjykata e Vlorës lë në burg 38-vjeçarin

Në momentin e ndërhyrjes, Sadedini tentoi që të largohej, madje u drejtoi edhe armën punonjësve të Policisë së Shtetit

I.F
Tentoi të qëllonte efektivët e policisë, Gjykata e
Endrit Sadedini

VLORË- Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Endrit Sadedinin, i cili tentoi të qëllonte në drejtim të efektivëve të policisë. Sadedini akuzohet për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Ai u arrestua më 19 shkurt nga Policia e Vlorës, pasi nga informacionet që kishin marrë ishte zbuluar se 38-vjeçari qarkullonte me armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes, Sadedini tentoi që të largohej, madje u drejtoi edhe armën punonjësve të Policisë së Shtetit, por fatmirësisht u neutralizua në kohë, pa iu dhënë mundësia që të qëllonte.

Emri i 38-vjeçarit nuk është i panjohur për Policinë dhe as për mediat, kjo pasi më 19 Dhjetor 2021, atij iu bë atentat me tritol. Një kallëp lëndë plasëse i ishte vendosur në afërsi të garazhit ku kishte parkuar makinën, shpërthim që e la të plagosur të riun. Në atë moment, Endrit Sadedinaj, nuk rezultonte me precedent të mëparshëm penal. Ai njihej vetëm si pronari i një lokali në Vlorë ku në Prill të 2017 u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Ergys Gjioveshi. Për ngjarjen u vunë në pranga Gani Tozaj, ndërsa Arianit Kondaj u shpall në kërkim. Ndërsa vetë Sadedini u ndoq penalisht për moskallëzim krimi.

Po ashtu, 8 vite më parë, të riut nga Vlora i kishin vendosur edhe njëherë eksploziv në makinë, por atë herë lëndën plasëse e kishte pikasur në kohë. Ngjarja bëri bujë por nuk u zbardh kurrë se kush ishte porositësi i vënies së tritolit në makinën e tij, por vetëm sa u bë me dije nga burime jozyrtare se ngjarja kishte ndodhur për prishje të pazareve të drogës./ZËRI

Poll

MOS HUMB