TROPOJË- Dy drejtorë në bashkinë e Tropojës janë arrestuar pas ngjarjes së rëndë një ditë më parë, ku humbi jetën një punonjës dhe tre të tjerë u plagosën. Sipas Policisë, dy drejtorët janë vënë në pranga për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mbrojtjes në punë, lidhur me rrethanat e aksidentit.
Ngjarja ndodhi teksa katër punonjës të bashkisë po punonin për vendosjen e ndriçimit në një rrugë. Gjatë punës, shtylla që po vendosej humbi ekuilibrin për shkak të peshës dhe ra në kontakt me telat elektrikë, duke e përcjelljë rrymën te punonjësit. Për pasojë, 59-vjeçari Muhamet Sylisuf humbi jetën në vend, ndërsa 3 punonjësit e tjerë u dërguan në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me ngjarjen e djeshme, në rrugën e Dobravës, ku humbi jetën një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë, dhe u dëmtuan 3 të tjerë.
Ndalohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, Drejtori i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit dhe drejtuesi teknik i punimeve.
Në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
-N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po mbanin një shtyllë për ndriçim, për ta vendosur në bazament, kanë humbur ekuilibrin dhe për pasojë shtylla ka prekur telat dhe e ka përcjellë rrymën te 4 shtetasit. Nga kjo ngjarje, humbi jetën shtetasi M. S. dhe u dëmtuan shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
