
TIRANË- Zbardhet vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për lënien në burg të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Në vendimin e zbardhur, gjyqtari Engert Pëllumbi ka vlerësuar se duke qenë kryebashkiak i bashkisë më të madhe të vendit, Veliaj nuk mund të lihet i lirë për shkak se me pushtetin që i ka dhënë posti, mund të ndikojë të dëshmitarët e çështjes apo në prova. Kështu mund të minojë hetimin. Por jo vetëm kaq! Apeli i Posaçëm, nuk e ka pranuar as "ofertën" e Veliajt për lirim në këmbim të garancisë pasurore, për shkak se për togat e zeza ekziston edhe rreziku i ikjes nga vendi, apo i kryerjes së veprave të tjera penale nga ato për të cilat po ai procedohet. Sipas Apelit, fakti që Veliaj është kryefamiljar apo babai i një fëmijë të mitur nuk e zvogëlon rrezikun e largimit të tij nga vendi.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu edhe sjelljen e Veliajt gjatë kohës që ndodhej në paraburgim, ku ai ka realizuar telefonata nga brenda institucionit, veprim që SPAK e ka interpretuar si tentativë për të ndërhyrë te provat.
Ndër të tjera përmendet edhe shqetësimi se një funksionar i lartë mund të ketë mjete të jashtëzakonshme për të minuar procesin e gjykimit, pasi mund të përdorë autoritetin ndaj vartësve, të mobilizojë kontakte politike apo ekonomike për të ikur ose për të shkatërruar prova.
"Në lidhje me ndikimin në procesin e drejtësisë apo institucioneve shtetërore, kur i hetuari është një zyrtar i lartë në detyrë, GJEDNJ ka theksuar se fuqia apo ndikimi i tij institucional mund të rrisë rrezikun e ndërhyrjs në procesin e drejtësisë. Kjo do të thotë se personi mund të shfrytëzojë pozitën, kontaktet apo autoritetin e tij për të penguar hetimin. Pra, pozita publike e të hetuarit merret parasysh si një faktor kur vlerësohet rreziku i ndikimit negativ në procedurë. Sa më i fuqishëm ose i lidhur të jetë personi, aq më i madh konsiderohet potenciali i tij për të minuar hetimin ose për të ushtruar trysni të papërshtatshme. Kjo mund ta bëjë paraburgimin një masë të nevojshme për të ruajtur integritetin e procesit gjyqësor,"-shkruhet në vendimin e zbardhur të Apelit.
Po ashtu, shtohet se edhe besimi i qytetarëve te institucionet është një tjetër argument që mund të justifikojë paraburgimin e zyrtarëve të lartë, duke theksuar se një zyrtar me pozitë të lartë, në parim mund të ketë më pak rrezik arratisjeje, për shkak të lidhjeve familjare e profesionale në vend, por nga ana tjetër ai mund të paraqesë më shumë rrezik për hetimin për shkak të pushtetit dhe ndikimit që disponon.
Gjithashtu në vendimin e zbardhur thuhet se, fakti që Erion Veliaj ka dërguar mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilëve iu kërkon hapur të ndalojnë thirrjen e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa për të dhënë deklarime të tjera në Prokurorinë e Posaçme.
“Erion Veliaj dërgon mesazhe me natyra të forta intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH, të cilëve iu kërkon hapur që të ndalojnë me thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime,”- thuhet në reagimin e Apelit të Posaçëm. Edhe për bashkëshorten e Veliajt shtojnë se shumica e personave që kanë dhënë deklarime në prokurori mbi hetime janë kontaktuar para dhe pas marrjes në pyetje e kryesisht nga Ajola Xoxa.
PJESË NGA VENDIMI:
Rreziku i helmimit të provave në rastin konkret përforcohet edhe fakti se personi nën hetim Erion Veliaj është ende në detyrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit e tij për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme që mund të shërbejnë si burime prove si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara organit procedues ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve, sikurse edhe rezultoi nga parashtrimi i mësipërm. Gjykata çmon se një rrezik i tillë për dëmtimin e provave nuk është një gjendje e cila mund të neutralizohet nëpërmjet izolimit të përkohshëm të personit nën hetim, për sa kohë ende nuk është i qartë plotësisht rrethi i provave që do të shërbejnë për hedhur dritë mbi faktin penal si dhe rreziku i helmimit të provave të gjalla do të jetë gjithnjë i pranishëm referuar sjelljes së treguar nga personi nën hetim, sikurse u parashtrua më sipër. Për çka u tha më sipër, vetëm rreziku i helmimit të provave do të mjaftonte që gjykata të caktonte masën e sigurimit "Arresti në burg", e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Erion Veliaj. Megjithatë, gjykata vëren se në këtë rast ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ai i kryerjes së veprave të tjera penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohet. Lidhur me rrezikun e ikjes, sikurse me të drejtë ka arsyetuar gjykata e shkallës së parë, mundësitë financiare të personit nën hetim Erion Veliaj, të vlerësuara në harmoni me lëvizjet e tij të shumta jashtë vendit, referuar të dhënave të sistemit TIMS si dhe të përforcuara nga sanksioni tepër i lartë i veprave penale që dyshohet të ketë kryer ky shtetas dhe që rrezikon të vuajë, e çon gjykatën në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta. Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti se personi nën hetim është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur. Po kështu shqyrtohet edhe sjellja e të pandehurit para dhe pas kryerjes së vepres (post delictum), personaliteti dhe pozita e tij etj. Gjithsesi, caktimi i masës së sigurimi sipas nenit 128, pika 1, shkronja "b" nuk mund të motivohet mbi baza thjesht hipotetike, në prezumime të përgjithshme apo imagjinare mbi probabilitet të ikjes së të gjykuarit."
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI