Aktualitet

Prokuroria nis hetimet! Si u transferua në Durrës Altin Ndoci, do të merren në pyetje ish-drejtori i burgut dhe zyrtarë të tjerë

Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar të gjithë praktikën e ndjekur në rastin e transferimit të Ndocit, në Maj të vitit 2020

E.K
Prokuroria nis hetimet! Si u transferua në Durrës Altin Ndoci, do
altin ndoci

DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në lidhje me transferimin e 34-vjeçarit Altin Ndoci në paraburgimin e Durrësit, në një kohë që konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë, për shkak të veprave të rënda penale për të cilat ai ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ndoci u transferua në burgun e Durrësit në Maj të vitit 2020, ndërkohë që prokuroria ka sekuestruar të gjithë praktikën që është ndjekur në rastin e trasferimit të tij. Në pyetje pritet që të merret ish-drejtori i burgjeve dhe zyrtarë të tjerë, që kanë firmosur për transferimin e Ndocit drejt paraburgimit të Durrësit. Burgu i Durrësit është i sigurisë së zakonshme, dhe për këtë shkak ditën e djeshme Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka urdhëruar një rivlerësim të të gjithë të dënuarve që janë aktualisht në burg. Mbrëmjen e djeshme, 15 prej tyre, përfshirë ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u transferuan drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin.

Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit, ministria e Drejtësisë shkarkoi dje drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më herët njoftoi se ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të burgut, ndërsa 8 persona u vunë në pranga. Në mesin e personave të arrestuar është shefi i komanduar i policisë së burgjeve, si dhe kryeinfermieri i i burgut, i cili ka firmosur raportin se i burgosuri kishte nevojë për vizitë spitalore. 

Ata akuzohen për shkelje të rënda të detyrës gjatë shoqërimit të Ndocit për vizitën mjekësore, duke mos informuar as drejtorin e burgjeve dhe as policinë e shtetit për itinerarin e planifikuar. Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis gjatë mesditës së të martës, ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Pasi goditi rojet, ai zbriti përmes një dritareje në katin e tretë të spitalit, dhe më pas u largua me një “Audi” të zi që po e priste në parkingut e spitalit. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB