Aktualitet

Shishet 3 mln euro! Prokuroria e Tiranës shpall në kërkim kushëririn e Ergys Agasit, Eno Agasi hoqi verën, 400 mln lekë dëm shtetit

Gjatë natës Eno Agasi e ka hequr verën dhe ka hequr më pas serverin e kamerave të sigurisë.

F.I
Shishet 3 mln euro! Prokuroria e Tiranës shpall në kërkim
Ergys Agasi

TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasin. Ky i fundit raportohet të jetë djali i xhaxhait i biznesmenit Ergys Agasi i shpallur po ashtu në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në llidhje me hetimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

Urdhër arresti është dhënë nga prokurori Bledar Valikaj, pas kontrolleve të ushtruara nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e Ergys Agasit, ku u gjetën dhe u sekusetruan dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, të cilat përllogaritet të kenë një vlerë rreth 3 milionë euro. Kushëriri i tij, Eno Agasi dyshohet se ka hequr verën miliona euro nga kantina e ndodhur në vilë.

Konkretisht shishet e verës u konstatuan nga agjentët e BKH-së në banesën e Ergys Agasit, të cilët kanë njoftuar prokurorin e çështjes për kryerjen e sekuestrimit. Me urdhër të prokurorit, është vendosur masa e sekuestrimit dhe është njoftuar Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e tyre për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie detyrimesh tatimore. Raportohet se një shishe kushtonte nga 7 deri në 10 mijë euro dhe bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. 

Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe përllogaritën një dëm prej 400 mln lekësh shkaktuar buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës. Për shkak se kontrolli u krye gjatë natës dhe transporti i mallit nuk ishte i mundur, vera u la përkohësisht në ruajtje në vilë. Kur autoritetet janë kthyer të nesërmen për ta marrë, sasia e verës nuk ndodhej më aty. Gjatë natës Eno Agasi e ka hequr verën dhe ka hequr më pas serverin e kamerave të sigurisë. 

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Ergys Agasin, i akuzuar për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara./ZËRI

Poll

MOS HUMB