SHBA-Rrjetet sociale Facebook dhe Instagram janë përballur me një ndërprerje teknike gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar probleme për mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës. Sipas të dhënave të platformës Downdetector, raportimet për mosfunksionim nisën të shtohen rreth orës 09:30. Përdoruesit kanë raportuar vështirësi në hyrjen në llogaritë e tyre, pamundësi për të ngarkuar faqen kryesore, si dhe probleme me përdorimin e funksioneve kryesore të rrjeteve sociale.
Një pjesë e përdoruesve që përpiqen të hyjnë në Facebook përmes shfletuesit përballen me mesazhin "Account Temporarily Unavailable", çka tregon për një problem teknik të përkohshëm në platformë.
Ndërkohë, në disa raste aplikacionet në telefon hapen normalisht, por përmbajtja nuk rifreskohet dhe postimet e reja nuk shfaqen. Probleme janë raportuar edhe me Messenger, ndërsa WhatsApp deri më tani vijon të funksionojë pa ndërprerje.
Meta ende nuk ka reaguar zyrtarisht për të sqaruar shkakun e mosfunksionimit apo për të njoftuar se kur shërbimet do të rikthehen plotësisht./ZËRI