
BEOGRAD- Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në aeroportin e Beogradit, ku një grup shqiptarësh që kishin zgjedhur që të udhëtonin me “Air Serbia” janë lënë për orë të tëra në autobus. Sipas të dhënave që bëhen me dije nga pasagjerët, por edhe nga pamjet, udhëtarët kanë kaluar "gate" dhe janë vendosur në autobus. Por procedura nuk ka zgjatur vetëm pak minuta, ashtu siç edhe duhet në raste të tilla. Përkundrazi janë lënë me orë të tëra në mjet, pa kondicioner dhe në errësirë totale. Një prej pasagjerëve i ka shkuar moderatorit Blendi Fevizu, duke i dërguar edhe pamje të tmerrit që po kalonin në këto netë ku edhe temperaturat janë përvëluese. Në videot e publikuara dëgjohen fëmijë teksa qajnë, ndërkohë që një qytetare u kërkon llogari efektivëve të Policisë që presin jashtë autobusit.
Ajo është detyruar të thyejë xhamin e autobusit me mjetet e emergjencës në mënyrë që në mjet të qarkullonte ajri.
"A është kjo normale? Po vdesim këtu. A jeni të çmendur? Ka fëmijë këtu!,"-dëgjohet teksa thotë zonja në video.
Ndërsa një tjetër shkruan me detaje se si u trajtuan në aeroport.
"Kemi pritur me shume se 1 ore e 20 min me dyer te mbyllura ne nje bus plot me njerez. Fillova nga paniku se skishim ajer te hapja dritaret e siperme te busit, megjithate per shkak te temperaturave dhe njerezve te shumte ne bus ishte e pamundur te merrje mjaftueshem ajer. Njerezit filluan te revoltoheshin dhe te qellonin xhamat me grushta njeherazi duke shpresuar se dikush do na degjonte. Po mbyteshim… femijet qanin. Pamja me e shemtuar dhe c‘njerezore qe kam pare ishte kur policia serbe dhe shoferi i autobuzit afrohen perballe me autobuzin dhe shihnin sesi ne kerkonim ndihme te hapnin dyert e nuk benin asgje. Ne nje moment vajza ime 13 vjece merr ate pajisjen qe eshte per emergjence per thyerjen e xhamave dhe thyen xhamin e deres. Ne ato momente filluam te merrnim ajer,"-tregon një nga udhëtarët.
Ndërkohë që sikur të mos mjaftonte me kaq, e njëjta situatë është përsëritur edhe në avionin e “Air Serbia”, ku sërish u është dashur që të prisnin për t'u kthyer në Shqipëri./ZËRI