VLORË-Policia ka publikuar pamjet nga operacioni 'Grupi' i zhvilluar në Vlorë, ku 6 anëtarë të një grupi kriminal janë arrestuar. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar).
Në pranga janë vendosur Florian Shala alias Florian Alliaj; Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj; Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula; Miço Beqaraj; Turi Aligjoni dhe Dritan Çelaj.
Turi Aligjoni dyshohet të jetë autori i plagosjes me armë zjarrit të 27-vjeçarit, Kevi Lazaj. Ngjarja u regjistrua pasditen e 7 qershorit te rrethrrotullimi i Çoles, në lagjen 24 Maji. Aligjoi rezulton i shpallur në kërkim kombëtar, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë edhe Aleksandër Dula rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Gjykata e dënuar Dulën në vitin 2024, me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Goditet një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore (drejtuesi dhe anëtarët e grupit).
Grupi, me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.
Kapet dhe autori i plagosjes me armë zjarri, të ndodhur 2 ditë më parë, në Vlorë.
Vihen në pranga 6 shtetas, nga të cilët 2 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.
Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara dhe ndër ta ishte dhe autori i plagosjes së rëndë me dashje, të ndodhur më datë 07.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”.
Si rezultat, në një lokal në fshatin Vranisht, gjatë operacionit u godit një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar).
Nga hetimet rezultoi se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMW X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A., për t'u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 07.06.2026, në Vlorë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
