KUKËS-Fatjon Dauti, autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri 29-vjeçarit, Jakup Aga është vetëdorëzuar në Polici. Ngjarja u regjistrua më 8 shtator rreth orës 17:10, në vendin e quajtur “Kryqezi i Spitalit”, në qytetin e Krumës pas një konflikti për motive të dobëta mes Agës dhe Dautit.
Dauti u shpall në kërkim pas ngjarjes dhe vetëm pas pamundësisë për t’u fshehur dhe negociatave me familjarët, sot është paraqitur para autoriteteve. Policia njofton se gjatë kontrollit në automjet dhe në banesën e tij, sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një dylbi, një antiplumb dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Pas një pune intensive kërkimore, pamundësisë për t’u fshehur dhe negociatave me familjarët, vetëdorëzohet autori i dyshuar i plagosjes së 29-vjeçarit, ditën e djeshme, në Krumë.
Sekuestrohet arma e zjarrit, pistoletë, me të cilën dyshohet se autori kreu plagosjen.
Gjatë kontrollit në automjet dhe në banesë, Policia gjen dhe sekuestron një armë zjarri kallashnikov, një dylbi, një antiplumb dhe municion luftarak.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në DVP Kukës, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has, bënë arrestimin e shtetasit F. D., rreth 30 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 08.09.2026, në rrugën e quajtur “Kryqëzimi i Spitalit”, në Krumë, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ky shtetas ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin J. A., 28 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Si rezultat i punës së pandërprerë të Policisë dhe negociatave me familjarët e tij, shtetasi F. D. është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, së bashku me armën e zjarrit, e dyshuar si arma e përdorur në kryerjen e plagosjes, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
