
GREQI- Nardi Ismet Idrizi, 39-vjeçari shqiptar është vetëdorëzuar në Policinë greke. Më shumë se 1 vit më parë ai u shpall në kërkim për tentativën e vrasjes së 3 personave nga Kreta, me të cilët u has në një klub në Gazi në vitin 2023. Ai është dorëzuar vetë në Komisariat rreth orës 18:00. Sipas "Protothema", pas ngjarjes së përgjakshme, 39-vjeçari ishte arratisur drejt Shqipërisë ku edhe ka qëndruar për një kohë të gjatë.
Si ndodhi ngjarja?
Përplasja ka ndodhur më 16 dhjetor 2023 në Gazi. Në një klub nate, një grup prej gjashtë a shtatë burrash nga Kreta po argëtoheshin pasi njëri prej tyre do të martohej në ditët në vijim. Ata shkuan nëpër lokale të ndryshme dhe në orën 6:00 dolën dhe shkuan për të ngrënë në një piceri. Teksa po hanin pranë tyre kaloi një makinë tip "Jeep" dhe njëri bërtiti.
SKEMA 3D e përplasjes
Edhe pse në mjet, drejtuesi dëgjoi se çfarë i thanë dhe ndaloi makinën. Idrizi zbriti dhe iu afrua bashkë me shokun që e shoqëronte, i identifikuar si Emiliano Jakupi, i cili aktualisht është arrestuar. Pasi u përball me grupin e djemve, Idrizi goditi me shuplakë një prej tyre dhe të tjerët reaguan. Më pas, u përdorën edhe armët por fatmirësisht nuk kishte jetë të humbura.
E shkuara kriminale e 39-vjeçarit
39-vjeçari i njohur si “Nardi” ishte një nga anëtarët kryesorë të një prej gjashtë organizatave kriminale që vepronin në të gjithë Athinën. Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një kriminel famëkeq që ka siguruar mbrojtje për lokalet e natës në Gazi. Idrizi është deportuar dy herë nga Greqia dhe është rikthyer sërish në shtetin fqinjë. Në 2012, ai ka qenë ndër të dyshuarit kryesorë të një grabitje të armatosur në Vlorë. I njohur edhe si Fatbardh Idrizi, në gusht të 2012 ka grabitur 350 mijë lekë në një karburant në Vlorë dhe ka hapur zjarr me pas ndaj Policisë.
Pas ngjarjes, ai fshihej në shtëpinë e një miku të tij derisa u arrestua. Ajo që e tradhtoi Idrizin ishte fakti që kishte hequr kapuçin që mbante në kokë pas grabitjes dhe identiteti i tij u zbulua nga kamerat e sigurisë. Një vit më vonë, ai u dënua me 13 vjet burg. Ai u mbajt në burgun e Fierit dhe në vitin 2020 u lirua para kohe, ku lirimi shkaktoi bujë të madhe në vendin tonë, pasi 18 zyrtarë të burgjeve u akuzuan se e ndihmuan ta lironin.
Vëllai i tij, Leonard Idrizi ka qenë pjesë e bandës se Çoles dhe është vrarë. Pas vdekjes, autori i plagosjes në Greqi ka marrë edhe identitetin e të vëllait./ZËRI