
TIRANË- Dy prej anëtarëve të grupit të Suel Çelës që u godit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Xhino Roka dhe Marsel Roka rezulton të jenë vëllezërit e Adelajda Rokës, e cila është drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. "Syri.net" raporton se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontroll në banesën e tyre dhe kanë gjetur të gjitha lejet e ndërtimit në jug të vendit. Kjo pasi e motra, e cila është dhe zyrtare, ruante të gjitha dokumentet në banesën ku jetonin si familje.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe ka përgjegjësi për të pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit, organizuar mbledhjet e KKT-së si dhe përgatitur dhe administruar dokumentacionin që shqyrtohet në to. Agjencia në fjalë jep llogari vetëm përpara kryeministrit Edi Rama dhe kreu i qeverisë është i vetmi që emëron apo liron nga detyra Drejtorin/eshën e kësaj Agjencie.
Pas përmendjes së vëllezërve të saj në dosjen e SPAK, ZËRI ka tentuar që të kontaktojë me drejtoreshën e AZHT-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë koment nga ana e saj./ZËRI