
VLORË- Qyteti i Vlorës ishte më i "godituri" nga stuhia që pushtoi fundjavën që lamë pas. Referuar matjeve që janë bërë pas stuhisë, në Vlorë ka rënë 190 mm shi. Por shirat nuk janë të vetmet "fajtorë" për përmbytjen katastrofale në qytet që ka shkaktuar miliona euro dëme në biznese dhe banesa. Probleme ka pasur edhe me kanalizimet apo dhe me hidrovorin e qytetit, i cili në ditën pas shirave doli nga funksioni. Një nga katër pompat e hidrovorit u dogj dhe u përfshi nga flakët, kështu që u bë e detyrueshme edhe fikja e 3 pompave të tjera që deri në atë moment ishin funksionale.
Tashmë që situata duket se është vendosur nën kontroll, edhe pse disa zona të qytetit ende kanë ujë e baltë, Partia Demokratike e degës së Vlorë ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e rrethit lidhur me përmbytjet në qytetin bregdetar prej shirave të 4 tetorit. Për mediat, kreu i PD-së së Vlorës, Atird Hoxha zbuloi se ka depozituar një serë faktesh në Prokurori, duke bërë thirrje që të zbulohet se kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.
"Në lidhje me përmbytjet e zhvilluara në qyteti ne hasura në reshjet e 4 tetorit të 2024, kemi depozituar në prokurori në kallëzim penal për këtë ngjarje. Ky hap vjen nga PD e Vlorës për drejtësi dhe përgjegjësi sa i takon dëmeve. Ky veprim ka një sërë faktesh që kanë ndodhur në përmbytje. Kërkojmë që prokuroria të veproj më shpejtësi pavarësisht se ditët kalojnë. Nuk kemi parë prokuror në terren. Kemi kallëzuar ku kemi bërë të qartë veprime që prokuroria të kryejë marrjen e provave në terren. Institucionet shtetërore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të minimizuar dëmet në pronat e qytetarëve dhe të marrë përgjegjësi për dëmet. Pasi këto përmbytje nuk kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të pretenduara nga kryetari i bashkisë. Ka ardhur si neglizhencë e mos veprimit të cilin institucione duhet të kishin ndërmarrë si kanalizimet e ujërave të sipërme që ceduan gjatë 4 tetorit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi. Përgjegjësit duhet t’i nxjerri prokuroria. Kemi nxjerrë fakte dhe prova në terren që i kemi vënë në dispozicion. Vihemi në dispozicion kur ta regjistrojnë hetimin. Duhet të kishte nisur duhet të kishte veprime konkrete. Deri tani nuk ka asnjë njoftim me nisjen e hetimeve. Sot kemi depozituar këtë kallëzim në emër të PD. Kallëzim për shpërdorim detyre. Kjo është detyra që lind sot nga prokuroria. Kush janë ata që kanë shpërdoruar detyrë, për dëme që llogariten në qindra miliona euro. Nuk kemi bërë kallëzim me emra konkret. Po kërkojmë nisjen e hetimeve sa i takon shpërdorimit të detyrës. Nga kreu i bashkisë, emergjenca civile, OSHEE,"-tha në fjalën e tij Hoxha.
Por në terren për të hetuar nuk do të jetë vetëm Prokuroria e Vlorës. Në Vlorë, ka zbarkuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka nisr një auditim në lidhje me situatën e përmbytjeve. Në "lupën" e KLSH-së janë vendosur disa institucione, ku do të auditohet me prioritet për shkaqet që çuan në këtë situatë problematike. Do të hetohet nëse institucionet e kanë bërë apo jo detyrën e tyre për të marrë masa që të shmangnin përmbytjen. Auditimi do të zgjasë disa ditë dhe më pas, KLSH do të dalë me një raport lidhur me ngjarjen.
Në zonën “Albano dhe Romina” janë rreth 200 biznese, të cilat u mbushën me ujë mbi një metër. Mallrat janë dëmtuar tërësisht dhe bizneset presin dëmshpërblim. Në situatë të vështirë janë edhe qytetarët që u janë dëmtuar shtëpitë. 55 familje u evakuuan në konviktet e studentëve dhe u mbajtën aty deri ditën e djeshme. Për ta, edhe familje të tjera, ka nisur shpërndarja e ndihmave ushqimore.
Nga përmbytja nuk ka shpëtuar as biblioteka, xhamia e qytetit dhe kisha ortodokse./ZËRI