VLORË- Përkeqësimi i kushteve hidrometeorologjike në Vlorë ka sjellë masa të menjëhershme për sigurinë në det. Autoritetet kan ndaluar lundrimin e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur dhe në zonën Dhërmi–Himarë.
Lundrimi është ndaluar nga ora 14:00 e së premtes, 24 korrik, dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të së shtunës, 25 korrik 2026. Sipas parashikimeve, gjatë kësaj periudhe priten erëra me drejtim veri-veriperëndim me forcë 6-7 ballë (15- 25 m/s), ndërsa lartësia e dallgëve do të arrijë nga 1.5 deri në 3.5 metra, duke krijuar kushte të rrezikshme për lundrim. Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë aktivitet në fushën detare të marrin masat e nevojshme parandaluese, të sigurojnë mjetet lundruese në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve. Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normal sipas destinacioneve të tyre.
Sipas autoriteteve, përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike dhe rifillimi i lundrimit për mjetet e vogla pritet pas orës 06:00 të datës 25 korrik.
Njoftim nga policia:
Policia e Shtetit
Në bazë të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike, Policia e Shtetit njofton se, duke filluar nga mesdita e datës 24.07.2026 deri në paraditen e datës 25.07.2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, të shmangin daljet në det, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike gjatë këtij harku kohor.
Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë përkeqësimin e kushteve të motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.
Po ashtu, nisur nga parashikimet për përkeqësimin e kushteve atmosferike gjatë ditës së nesërme, Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe duke shmangur manovrat e rrezikshme.
Këmbësorët këshillohen të tregojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e reshjeve apo lagështirës në rrugë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve të vogla lundruese, mjeteve të peshkimit dhe të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal, jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por në vijimësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës./ZËRI