
ELBASAN- Pas denoncimit të Partisë Demokratike, Policia e Peqinit ka sekuestruar disa materiale zgjedhore të falsifikuara dhe armë në një lokal në fshatin Pekisht. Fill pas denoncimit të PD për praninë e materialeve të dyshimta zgjedhore në lokalin e Dervish Beqirit, Policia zbarkoi në lokal. Gjatë kontrollit, në vendngjarje u sekuestruan 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit të paplotësuara, si dhe një listë me emra zgjedhësish. Në të njëjtin lokal u gjet dhe sekuestrua edhe një portofol me 280 000 lekë.
Më pas, nga kontrolli që vijoi më pas edhe në banesën e Dervish Beqirit, Policia gjeti një pushkë të vjetër dhe një pistoletë sportive, të cilat u sekuestruan.
NJOFTIMI I POLICISË:
Peqin
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit. Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive). Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale "Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive". Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Dje, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bashkë me drejtuesin politik të Elbasanit, Tomor Alizoti dhe deputetin e ardhshëm të këtij qarku, Blendi Himçi, pretenduan se kishin mbledhur prova për të ashtuquajtur "trenin bullgar". Në një konferencë për mediat, Berisha tha se në bar-kafenë e kryeplakun të fshatit, Dervish Beqiri ndodheshin fletë votimi, lista votimi dhe para cash të monedhave të ndryshme./ZËRI