Aktualitet

Pasi dhunoi shefin e Financave, ish-drejtoresha e spitalit të Dibrës përndjek punonjësit, vihet në hetim

Irini Shehu, raportohet se ka përndjekur disa punonjës të spitalit Rajonal të Dibrës.

F.I
Pasi dhunoi shefin e Financave, ish-drejtoresha e spitalit të Dibrës
Irini Shehu

DIBËR- Ish-drejtoresha e spitalit rajonal të Dibrës e shkarkuar dy javë më parë, është vënë në hetim nga Policia e Dibrës. Kjo për shkak se ditën e djeshme ajo është kallëzuar për "përndjekje". Në njoftimin e Policisë, shkruhet se Irini Shehu ka përndjekur disa punonjës të spitalit, por ende nuk janë bërë me dije detaje se çfarë ka ndodhur konkretisht me të dhe ish-vartësit e saj.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasen I Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi (ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër), për veprën penale "Përndjekja". Ditën e djeshme, 44-vjeçarja dyshohet se ka përndjekur disa punonjës të Spitalit Rajonal Dibër.

Sherri në spital

Pak javë më parë, ajo u shkarkuar nga detyra sepse në debat e sipër kishte goditur në fytyrë me një shishe qelqi përgjegjësin e Financave, Shaban Uklala. Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të spitalit më 11 shkurt, duke i shkaktuar edhe dëmtime nga qelqi. Uklala ka marrë ndihmën mjekësore dhe ka shkuar në Drejtorinë e Policisë për të bërë kallëzimin. Motivet e konfliktit mbeten ende të panjohura./ZËRI

Poll

MOS HUMB