Aktualitet

'Partizani'/ Berisha në SPAK, zbulon shënimin që i la Altin Dumanit

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë.

F.I
'Partizani'/ Berisha në SPAK, zbulon shënimin që i la
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK për zbatimin e masës "detyrim paraqitjeje" lidhur me aferën Partizani. Në hyrje të ambjenteve të Prokurorisë Berisha është pritur nga mbështetësit e Partisë Demokratike, pas një njoftimi të bërë një ditë më parë. Pas daljes nga SPAK, Berisha tha se la një shënim për kryeprokurorin Altin Dumani.

“Por aty, Dumanit të Ramës, i lashë një shënim. Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar! Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës. Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës. Unë vërtet i mora paratë, thotë ai, por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove. Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj që Edi Rama të shkojë te McGonigal ndoshta javën e parë”-tha Berisha para SPAK.

Dosja 'Partizani', e cila pritet të kalojë për gjykim, ka mbetur peng për shkak të seancave që shtyhen prej rreth 6 muajsh.  Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja. Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI

Poll

MOS HUMB