TIRANË-Dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej janë ballafaquar në GJKKO në seancën për dosjen e "Plumbi i artë". Përballja mes tyre ka qenë për vrasjen e Bujar Çelës në Bradashesh, vëllait të Talo Çelës. Para trupës gjykuese, të dy bashkëpunëtorët kanë deklaruar se u qëndrojnë dëshmive që kanë dhënë më herët për këtë ngjarje.
“I qëndroj plotësisht deklarimeve që kam dhënë”, tha Dumani.
“Po i qëndroj deklarimeve”, tha Erjon Alibej.
Të dy bashkëpunëtorët do të përballen me pyetje dhe provat që do të paraqiten gjatë seancës, të cilat priten të përcaktojnë rëndësinë e dëshmive të tyre në ekzekutimin e hetimeve dhe ndihmën për zbardhjen e aferave të tjera të lidhura me krimin e organizuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi 17 shtatorit 2020, para një lokali tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 50-vjeçari Bujar Çela u ekzekutua me armë zjarri nga Dumani dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Në seancën e 16 janarit të këtij viti, Dumani tha se shkak ishte bërë vrasja e mikut të tij Klevis Kapllani, i cili u ekzekutua më 15 shtator. Vrasja e Kapllanit dyshohet se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa. Si pasojë, Dumani vendosi të hakmerret ndaj Talos duke i vrarë vëllain./ZËRI