TIRANË-Kompania celulare ''One Albania", duket se ka ndërmarrë hapin e radhës pas njoftimit për rritjen e çmimive për ofrimin e shërbimeve telefonike nga 1 Maji. Njoftimi për rritjen e tarifave për abonentët u bë në fund të muajit mars, duke sjellë reagime të shumta nga klientët që operojnë me 'One Albania'.
Rritja llogaritet nga rreth 300 deri në 400 lekë të vjetra në muaj. Në mesazhin drejtuar abonentëve, One Albania njoftoi se shkak i rritjes së tarifës, thuhet të jetë ndryshimin mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK) të publikuar nga Instituti i Statistikave INSTAT.
Por duket se kompania e ka gjetur zgjidhjen për kritikat, duke fshirë çdo reagim negativ. Prej kohësh abonentët kanë ngritur shqetësime për cilësinë e dobët të shërbimit, mungesën e mbulimit dhe shpejtësinë reale të internetit. Megjithatë në faqet e rrjeteve sociale komentet e qytetarëve janë fshirë nga punonjësit e komopanisë. Nga një shqyrtim i bërë në faqen zyrtare të 'One Albania' në Instagram, ajo që ka mbetur janë vetëm dy-tre komente në disa nga aktivitet e kompanisë.



Për shkak të shqetësimeve mbi praktikat e tregut, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim më 13 shkurt 2025. Hetimi përfshin periudhën 2022-2024 dhe synon të verifikojë nëse sjelljen e kompanisë One Albania përbën kufizim të konkurrencës, në bazë të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Deri në përfundim të këtij hetimi, mbetet për t’u parë nëse praktikat e çmimeve nga operatorët celularë do të ndryshojnë apo do të vijojnë të jenë objekt debatesh dhe ankesash nga konsumatorët./ZËRI
