
TIRANË- Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka hequr masën e pezullimit nga detyra për 4 efektivët e forcave "Shqiponja" në Shkodër. Po ashtu, përveç pezullimit, trupa e Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkodrës për "arrest shtëpie" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për efektivët që nuk vepruan në masakrën e Dobraçit. Tashmë, efektivët e Policisë do të hetohen me masën e sigurisë "detyrim paraqitje".
Blerim Kurmetaj, Viktor Logu, Juljan Stërkaj, Marte Martini janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen pasi akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me masakrën e ndodhur në Dobraç më 30 tetor të vitit 2024 që përfundoi me ekzekutimin e Hamza Licit, Arlind Bushatit dhe vdekjen e dy qytetarëve të pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha. Më konkretisht, ata akuzohen se nuk kanë shoqëruar në polici personin e tretë që ishte me dy viktimat në vendngjarje, që dyshohet të ketë qenë Ibrahim Lici, një person i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës dhe që mendohet të ketë qenë objektivi i atentatit.
Aktualisht, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 'në duar' për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal. Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë./ZËRI