Aktualitet

Padia e Pëllumb Gjokës për mesazhet nga "SkyECC", Kushtetuesja vendos: Janë të vlefshme!

Vendimi është marrë sot, por ende nuk ka një arsyetim të zgjeruar që të jetë publikuar zyrtarisht nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

k.m.
Padia e Pëllumb Gjokës për mesazhet nga "SkyECC",
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi provat që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë për mesazhet e siguruara nga aplikacioni i enkriptuar “SkyECC”. Vendimi është marrë sot dhe është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë anëtarët e Kushtetueses, njëzëri kanë vendosur për rrëzimin e kërkesës që mesazhet të cilësohen si të pavlefshme në Gjykatën e Posaçme. Gjatë ditëve në vijim, pritet që të publikohet edhe vendimi i plotë i zbardhur i seancës së sotme.

Vendimi i plotë i Kushtetueses:

Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm”. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Depozitimi i kërkesës në Kushtutetuese është bërë nga avokatët, klientët e të cilëve kanë dalë në mesazhet e "SkyECC" më konkretisht nga Pëllumb Gjoka, i cili është një prej të arrestuarve të operacionit "Metamorfoza". Kërkesa u depozitua pasi Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzoi përdorimin si provë në proceset gjyqësore penale, të bisedave të përfituara në mënyrë joligjore nga rrjetet e kriptuara Encrochat dhe SKYECC. Në vendimin e dhënë pak muaj më parë, GJED kërkon që provat e dërguara nga gjykata franceze me Urdhërin Europian të Hetimit Penal, të verifikohen nga autoritet gjyqësor i vendeve të tjera, nese janë marrë në përputhje me procedurën e parashikuar nga legjislacioni i brendëshem dhe nëse janë në harmoni me parimet e të drejtës së shtetit përkatës.

Kështu që duke argumentuar qëndrimin e tyre, të akuzuarit dhe klientët e tyre kundërshtuan mënyrën sesi ishin tërhequr nga ana e SPAK, aktet që ishin vendosur në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Për të njëjtën padi, SPAK kërkon që "Kushtetuesja" të rrëzojë ankimimin, pasi përgjimet e aplikacionit i konsideron prova të ligjshme. Por sot, duket se Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë SPAK në ankimimin e saj.

Deskriptimi i bisedave nga agjensitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre. Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB