Politikë

“Sky ECC”, Berisha: Në Kushtetuese janë 'hedhur' 6 mln euro për të shpallur të paligjshme përgjimet

Berisha tha se këto paratë janë derdhur nga një person i një bande kriminale, që kërkon deligjitimin e përgjimeve.

I.F
“Sky ECC”, Berisha: Në Kushtetuese janë 'hedhur'
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se në Gjykatën Kushtetuese janë derdhur 6 milionë euro për të shpallur të paligjshme përgjimet e SKY ECC dhe Encrochat. Në një konferencë me gazetarët paraditen e sotme, Berisha tha se këto paratë janë derdhur nga një person i një bande kriminale, që kërkon deligjitimin e përgjimeve. Por në asnjë moment nuk përmendi emra në denoncimin e tij.

“Së pari për ndërhyrjet janë të qarta si kristali. Ndërhyrje kanë bërë bandat dhe flitet rëndom që në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga një person, një bandë janë derdhur rreth 6 milionë euro. Por përveç ndërhyrjeve të bandave, ndërhyrje po bëjnë qeveritarët të cilët në skuta takohen me gjykatësit, si Ulzi Manja, Agaçi e të tjerët etj., të cilët kërkojnë deligjitimimi e dokumentacionit që e njohur si legjitim Gjykata Ndërkombëtare e të drejtave të Njeriut. Por ndërhyrje me regjistrime intime, po bën edhe Altin Dumani me organizatën e tij kriminale, sepse deklarata që ai bëri se kemi probleme mes legjislacionit francez dhe atij shqiptar, unë i them këtij mercenari se midis vendimeve të Gjykatës së Strasburgut dhe legjislacionit shqiptar nuk ekziston asnjë problem, sepse prevalon gjykata ndërkombëtare mbi gjykatën kombëtare, por ky nuk njeh kushtetutë. Është një bandit që nuk njeh ligj e kushtetutë”, tha Berisha.

Gjykata Kushtetuese më 19 dhjetor do të përcaktojë nëse provat e përfituara nga aplikacioni “Sky ECC” duhet të konsiderohen të ligjshme ose jo. Padia për vlefshmërinë e bisedave të “Sky ECC” u ngrit nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme gjatë operacionit “Metamorfoza”. Po ashtu më 1 tetor, gjyqi për dosjen “Metamorfoza” u shoqërua me debat mes dy prokurorëve Arben Kraja e Altin Dumani, dhe avokatët e të pandehurve. Pika për të cilën përplasen palët janë përgjimet e siguruara nga aplikacioni "SkyECC". Mbrojtja e të pandehurve pretendon se mesazhet që janë transkriptuar nuk janë dokumente apo fakte siç janë pretenduar deri më tani nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por thjesht përgjime!

Kështu që duke argumentuar qëndrimin e tyre, të akuzuarit kundërshtojnë mënyrën sesi janë tërhequr nga ana e SPAK, aktet që janë vendosur në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Për të njëjtën padi, SPAK kërkon që "Kushtetuesja" të rrëzojë ankimimin, pasi përgjimet e aplikacionit i konsideron prova të ligjshme. Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse komunikimet në platformën “Sky ECC” do të mund të shërbejnë si prova ose jo në Gjykatë./ZËRI

Poll

MOS HUMB