
TIRANË-Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Fatmir Matraxhi, të cilët kishin përshatur nje banesë në Laknas në shtëpi bari. Në burg është lënë edhe punonjesi i OSHEE-së, Endrit Paja. Ku i fundit nuk kishte kallëzuar vjedhjen e energjisë elektrike me të cilën kultivoheshin bimët narkotike.
Dy vëllezërit sapo ishin kthyer nga Anglia dhe kjo ishte hera e dytë që kishin ngritur një shtëpi bari. Vëllezërit sipas të dhënave hetimore, kishin instaluar edhe bokse muzike, për të shmangur zhurmat që vinin nga brenda objektit si rrjedhojë e pajisjeve që i shërbenin kultivimit të drogës si dhe aspirator për të larguar aromën.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura./ZËRI