TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me debatin e hapur mes gjyqësorit dhe ekzekutivit, ku Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktuan vetë pagat referuese për magjistratët pas vendimit të Kushtetueses. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë.
Në deklaratën për mediat Gjykata rikujton se për çështjen e pagave është shprehur me vendimin e 17 shkurtit 2026. Ky vendim thotë Kushtetuesja është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim nga autoritetet përgjegjëse. Reagimi vjen pasi një ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se Gjykata Kushtetuese është në pritje të parlamentit.
Deklaratë për mediat Për zbatimin e vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 për pagat e magjistratëve.
Në lidhje me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese vlerëson të nevojshme të sqarojë se për këtë çështje është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026. Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm, duke evidentuar njëkohësisht detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse.
Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të. Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Në këtë kuptim, Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.
Ministri i drejtësisë Toni Gogu deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.
KLGJ vendosi me 9 vota pro dhe asnjë kundër, që paga referuese e gjyqtarëve të rritet me 65.600 lekë, duke nisur nga 1 gushti 2026. Paga referuese do të shkojë në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, pa përfshirë shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. Ndërkohë KLP vendosi që paga referuese të jetë 222.425 lekë, së cilës i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Baza e përllogaritjes shkon në 236.425 lekë.


