Aktualitet

Nga vëzhgimi, te vrasja...SPAK zbulon rolet: Si u vranë Bledar Briçaj dhe Gentjan Qarri! Zbardhen episodet e trafikut të drogës

Sipas SPAK, përmes komunikimeve të koduara në SkyECC, hetimet kanë dokumentuar përfshirjen e disa anëtarëve të grupit në vrasjen e Gentjan Qarrit, e ndodhur më 6 shkurt 2021 në Vlorë.

zh.ll
Nga vëzhgimi, te vrasja...SPAK zbulon rolet: Si u vranë Bledar
bledar birçaj-inez hajrulla-gentjan qarri

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur detaje të reja nga hetimet ndaj grupit të strukturuar kriminal, duke zbardhur dy atentate mafioze të ndodhura pesë vite më parë. Bëhet fjalë për vrasjen e Gentjan Qarrit dhe ekzekutimin e Bledar Birçajt.

Sipas SPAK, përmes komunikimeve të koduara në SkyECC, hetimet kanë dokumentuar përfshirjen e disa anëtarëve të grupit në vrasjen e Gentjan Qarrit, e ndodhur më 6 shkurt 2021 në Vlorë. Sipas prokurorisë, Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, kanë organizuar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, duke dhënë udhëzime për monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe realizimin e atentatit, si dhe për fshehjen e autorëve dhe djegien e mjetit të përdorur në krim.

“Vrasja me paramendim”, parashikuar nga nenin 78, paragrafi 2 i Kodit Penal në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit kriminal,“Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 28/4, 333/a dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal. Të hetuarit I.H dhe E.M, në bashkëpunim me pjestarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.", thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se të dyshuarit kanë krijuar kushtet për vrasjen e shtetasit Bledar Birçaj, i ekzekutuar më 10 maj 2021 në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Sipas SPAK, anëtarët e grupit kishin vendosur kamera survejimi dhe kishin monitoruar vazhdimisht lëvizjet e Birçajt pranë lokalit të tij “The Boss”, duke hartuar një plan konkret për vendin dhe mënyrën e ekzekutimit.

"Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasi B.B
Nga analiza e komunikimeve, rezulton se I. H. dhe E. M. si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme, për të realizuar vrasjen e shtetasit B. B. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi dhe kanë vëzhguar lokalin “The boss” në pronësi të shtetasit B. B., për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët shoqërohet. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit. Shtetasi B. B. është ekzekutuar më datë 10 maj 2021, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë.", thuhet në njoftimin e SPAK.

Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu edhe disa episode të trafikut ndërkombëtar të drogës.

-Një nga rastet më të mëdha është sekuestrimi i 750 kilogramëve kokainë në portin e Roterdamit në Holandë. Kjo ngarkesë dyshohet se ishte porositur në Ekuador dhe kishte si detinacion vendet e Bashkimit Europian.

-Një tjetër episod ka të bëjë me rreth 14 kilogramë kokainë të sekuestruara nga Policia Greke në Patra. Lënda narkotike ndodhej në një kamion udhëtonte nga Holanda. Po ashtu, nga komunikimet rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë.

-Një tjetër sasi prej 400 kilogramësh kokainë u sekuestrua nga autoritetet gjermane gjatë transportit nga Spanja drejt Gjermanisë.

-Po ashtu janë dokumentuar edhe raste të trafikut të kanabisit, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën kufitare Ipsala në Turqi;

-si dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në Maqedoninë e Veriut, të cilat dyshohet se transportoheshin me kamionë drejt Turqisë përmes Greqisë.

"Në portin e Roterdamit në Holandë është sekuestruar një sasi prej 750 kilogramë kokainë, e porositur në Ekuador nga shtetasit F.P (me disa identitete) në bashkëpunim me M.D dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Hetimet tregojnë se grupi kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës. Gjithashtu, rreth 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë, transport i organizuar nga A.Xh. në bashkëpunim me persona të tjerë. Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë shtetasit R.K., oficer policie (i cili më parë ka mbajtur detyra në DVP Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës), dhe A.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës. Po ashtu janë dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë. Sipas hetimeve, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian.", njofton SPAK.

Sipas SPAK, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për financimin e blerjes së drogës në Amerikën Latine dhe transportimin e saj drejt vendeve të Bashkimit Europian përmes rrugëve detare dhe tokësore./ZËRI

Poll

MOS HUMB