Aktualitet

Në Francë në qeli, në Shqipëri Ermal Beqiri fiton tenderin për AKSHI-n, OBP shpall fituese kompanitë e biznesmenit

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve NSolution shpk dhe HORIZON shpk, të dyja me pronar Ermal Beqirin për tenderin me objekt “Loti 1 – Shërbimi Internetit Linja 1 AKSHI”.

F.I
Në Francë në qeli, në Shqipëri Ermal Beqiri fiton
Ermal Beqiri

TIRANË-Biznesmeni Ermal Beqiri edhe pse i ndodhur në qelitë e paraburgimit në Francë, në Shqipëri kompania e tij vazhdon të fitojë miliona nga tenderat publikë. Beqiri është në pritje të ekstradimit, ku SPAK e ka shpallur në kërkim lidhur me akuzat për abuzime me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, por Jonaid Myzyri i OPB i ka ofruar një tjetër tender të AKSHI-t për shërbimin e internetit.

Konkretisht sipas dokumenteve zyrtare të publikuara më 4 shtator 2026, Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) me në krye Jonaid Myzyrin ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve NSolution shpk dhe HORIZON shpk, të dyja me pronar Ermal Beqirin për tenderin me objekt “Loti 1 – Shërbimi Internetit Linja 1 AKSHI”. Fondi limit i procedurës ishte 2,244,094 lekë pa TVSH, ndërsa oferta e bashkimit NSolution-HORIZON ishte rreth 1.95 milionë lekë pa TVSH.

Në Francë në qeli, në Shqipëri Ermal Beqiri fiton

Në procedurë kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomie, ku 3 prej tyre kanë dhënë oferta dukshëm më të ulëta se kompania e Beqirit, por sërish janë skualifikuar nga gara. Bazuar dokumenteve, oferta e NSolution ishte 1,953,792 lekësh pa TVSH, por 315,604 lekë më e lartë se oferta më e ulët e paraqitur nga UNION shpk. 

Oferta fituese është po ashtu mbi 258 mijë lekë më e shtrenjtë se ajo e operatorit celular ONE Albania, e cila kishte ofruar 1,695,744 lekë. 

Në Francë në qeli, në Shqipëri Ermal Beqiri fiton

Vetë Ermal Beqiri ndodhet në burg dhe në pritje të përballet me drejtësinë shqiptare, por bizneset e tij vazhdojnë të marrin kontrata publike me çmime jo-ekonomike, duke skualifikuar kompani që ofrojnë çmime më të ulëta. 

Ermal Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik. Gjykata franceze i caktoi masën e përkohshme "arrest me burg" me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Biznesmeni u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. 

Beqiri është nën masën e sigurisë "arrest në burg", të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".

Hetimet e SPAK, të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit, në vlerën e rreth 1 milion eurove. Gjithashtu, atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete./ZËRI

Poll

MOS HUMB