
ELBASAN-Seanca e sotme në Gjykatën e Elbasanit për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici është shtyrë. Ish-kryebashkiaku i Kukësit ka kërkuar lirimin me kusht dhe seanca ishte planifikuar të mbahej në orën 10:00 me dyer të hapura, por seanca do të mbahet me datën 18 Prill në orën 13:00. Shkak është bërë mungesa e prokurorëve të çështjes, të cilët ndodhen në një trajnim me OSBE për zgjedhjet e 11 Majit.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ka kërkuar lirimin nga qelia duke përdorur si argument gjendjen e tij shëndetësore. Avokati i tij ka pretenduar se Gjici vuan nga një zmadhin i aortës dhe diabet i formës së rënduar. Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku ka vuajtur edhe më herët nga këto sëmundje, por gjendja psikologjike ia ka rënduar simptomat.
Safet Gjici u dënua më datë 7 shkurt të këtij viti nga shkalla e parë me 3 vite burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar në 2 vite, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Safet Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për "korrupsion pasiv", pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet./ZËRI