
FIER-Është zbardhur ngjarja e ndodhur një ditë më parë (9 prill) në fshatin Sulaj të Fierit, ku babë e bir tentuan të vrisnin Suzana Mërcinën dhe djalin e saj, Hysen Mërcina teksa lëviznin me motor. Në pranga është vendosur një nga autorët, 66-vjeçari Afrim Cimili, ndërsa ende në kërkim vijon të jetë djali i tij 23-vjeçar, Ali Cimili.
Dinamkia e atentatit
Babë e bir fillimisht qëlluan me armë zjarri në drejtim të 46-vjeçares dhe djalit të saj, por më pas i përplasën me makinë ku si pasojë nënë e bir mbetën të lënduar. Paraprakisht u raportua se Suzana Mërcina u plagos me armë, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se nënë e bir u dëmtuan nga përplasja e automjetit me të cilin autorët lëviznin. Suzana dhe Hysen Mërcina ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe një prej automjeteve të përdoruara nga autorët, babaë e bir. Gjatë arrestimit të Afrim Cimilit u sekuestruan edhe tre celularë. Policia vijon kërkimet për kapjen e djalit të 66-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dinamika e ngjarjes së djeshme, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku u dëmtuan 2 shtetas.
Në bashkëpunim me djalin e tij, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të 2 shtetasve (nënë e bir), lokalizohet dhe arrestohet 66-vjeçari. Punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij.
Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja S. M. ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se 2 shtetasit (nënë e bir) u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2025, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.
Nga këto veprime dyshohet se shtetasit A. C. dhe A. C., për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit H. M. dhe S. M.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit H. M. dhe S. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.
Vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale "Vrasja me paramendim", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak".
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 më 9 prill në vendin e quajtur Mbikalimi i Dërmenasit. Dyshohet se mes familjeve Mërnica dhe Cimili ka ndodhur një konflikt pronësie 6 muaj më parë. Bëhet me dije se Suzana Mërcinën dhe djalin e saj, Hysen Mërcina janë të afërm të Azgan Mërnicës, autori i dyshuar i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novrus Cenalia. Hetimet vijojnë për të zbardhur shkakun e ngjarjes./ZËRI