
TIRANË-Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e 9 prillit në Tiranë. Një sherr mes dy të rinjëve ka agravuar në përdorimin e armës, ku si pasojë Gerald Hoxha, 29-vjeç ka mbetur i plagosur. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë një sherri për një vend parkimi. Franci Canaj pretendonte se taksisti, 29-vjeçar i kishte zënë vendin e parkimit.
I plagosuri është 29-vjeçari Gerald Hoxha, i cili u qëllua në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital. Autori i ngjarjes, Franci Canaj, 32 vjeç është shpallur në kërkim nga Policia. Canaj në 2016 rezulton se ka qenë i arrestuar në Itali për drogë dhe prostitucion.
Njoftimi i policisë:
Policia identifikon dhe shpall në kërkim një 32-vjeçar që plagosi me armë zjarri një shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri.
Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje./ZËRI