Aktualitet

Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori dhe skenaristi Leka Bungo

Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 16.00, në varrezat e Sharrës. 

k.m.
Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori dhe skenaristi
Leka Bungo

TIRANË- Shuhet Leka Bungo! Sot është ndarë nga jeta regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar. Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 16.00, në varrezat e Sharrës. Lajmin për ndarjen nga jeta të Bungos e kanë dhënë familjarët e tij, pasi 81-vjeçari vuante nga një sëmundje e rëndë. Njëra nga vajzat e tij, Alba teksa ka ndarë një foto krah të atit shkruan se ai luftoi me sëmundjen më të rëndë të shekullit por nuk arriti që ta mposhtë. 

“Sot më duhet të bëj gjënë më të rëndë të jetës time. Të të them ty mirupafshim përjetësisht. E kujt? Atij që desha më shumë në dynja, atij që më mësoi çdo gjë, atij që më falte çdo gjë, atij që i besoja çdo gjë. I shtrenjti im që jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk të thërrisja mbret. Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Krenare gjithmonë pafundësisht për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësove dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria më e madhe në dynja. Njerëzit e mëdhenj jetojnë ashtu siç jetove ti! E deshe dhe e respektove jetën ashtu siç vetëm ti dije. Lamtumirë deri sa të takohemi siç vetëm ne të dy dinim. Ah sa të dua i vogli im! U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im,”- shkroi Alba Bungo në një postim në Instagram.

Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori dhe skenaristi

Por kush ishte Leka Bungo?

Ai lindi në Vlorë, në vitin 1944. Pas fëmijërisë që kaloi në qytetin e tij të lindjes, kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs 1-vjeçar për regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi një kohe si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin e tyre më të pranishëm.

Mori pjesë si aktor në filmat: 'Oshëtime në bregdet', ku luajti rolin e një ushtari fashist dhe 'Një djalë edhe një vajzë' si Bardhyl', babai i Artanit. Po ashtu shkruajti skenarët e filmave: 1985: Tre njerëz me guna; 1988: Mirela; 1991: Gjuetia e fundit dhe 1992: Pas fasadës. Por përpos skenarëve të filmave ka shkruar edhe disa drama. Në vitin 1998, ai themeloi një stacion televiziv privat televiziv 'Combi' ku punoi si drejtor. Në vitin 2001 ai u zgjodh anëtar i bordit drejtues të RadioTelevizionit Shqiptar. 4 vite më parë mori detyrën si kreu i këtij bordi drejtues për ta lënë vetëm pak muaj më parë./ZËRI

Poll

MOS HUMB