Aktualitet

'Mua më thua legen'! Tokat me qera jepen për panele diellore- Arrestim dhe protestë- Si u kthye Këshilli Bashkiak në 'arenë boksi'

 Ky projekt vendim i kundërshtuar nga banorët u miratua me votat e mazhorancës, 20 vota pro.

F.I
'Mua më thua legen'! Tokat me qera jepen për panele
PAMJE NGA VENDNGJARJA

POGRADEC-'Grushta dhe shkelma'-kjo ishte skena e mbledhjes së ditës së djeshme në Këshillin Bashkiak në Pogradec. Ajo që duhej të ishte një takim zyrtar me vendime u kthye në një arenë boksi! Por si arriti situata në përplasje fizike?

Prej disa kohësh banorët e fshatit Cërrave janë ngritur në protesta të vazhdueshme kundër dhënies me qira të sipërfaqeve kullotësore në fshatin e tyre. Ky projekt vendim i kundërshtuar nga banorët u miratua me votat e mazhorancës, 20 vota pro. Pas procedurës së votimit banorët e pranishëm në mbledhje dolën duke thënë “turp” për këshilltarët që votuan këtë projekt- vendim.

Debatet në mbledhje:

Qytetari: Turp të keni, legena!

Anëtari i Këshillit Bashkiak: Mua më thua legen ti mo?! Legen thuaji motrës tënde në shpi, jo mua këtu!

Qytetari: Të them që ç'ke me të!

Anëtari i Këshillit Bashkiak: Po të ishte motra jote këtu do ti thosha legen?!

Qytetari: Legen janë burrat, jo gratë!

Këshilltari demokrat Engjëll Shyti është ngritur nga tavolina dhe është konfrontuar fizikisht me Kevi Muçllarin, një prej banorëve të zonës së Çërravës. Muçollari në një deklaratë për mediat pas sherrit, u shpreh se këshilltari është ngritur në këmbë dhe ka kërcënuar për atë që ai ka thënë në sallën e mbledhjes, ndërsa deklaroi se vazhdimisht Shyti i kundërshtonte argumentet e paraqitura nga banorët.

Por nuk mbaroi me kaq, nga përplasja fizike-në protestë

Kevi Muçllari, banor i Çërravës, i cili u përplas fizikisht me Engjëll Shyti këshilltarin e PD-së në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, u arrestua nga policia. 27-vjeçari akuzohet për "goditje për shkak të detyrës". Ndryshe nga sa pretendoi i riu, autoritetet njoftuan se Muçollari fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe më pas ka goditur me grusht Shytin.

Banorët e fshatit Cerrave u mblodhën para komisariatit të policisë në Pogradec, ku kërkuan lirimin e bashkëfshatarit të tyre, Kevi Muçllari, i cili u arrestua sot pas konfrontimit fizik që pati me anëtarin Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Engjëll Shyti. Sipas tyre 27-vjeçari është arrestuar padrejtësisht, duke shtuar se prej tij nuk pati akte dhune. Në mbështetje të banorëve, para komisariatit të policisë ishte edhe anëtari i pavarur i Këshillit Bashkiak, Arbër Male, i cili pretendon se Engjëll Shyti, ndonëse është pjesë e Këshillit Bashkiak, është edhe i punësuar në një ndërmarrje të bashkisë së Pogradecit.

"Të gjithë ne sot kemi ndjekur me shqetësim mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, ku unë si anëtar, kam qenë edhe prezent edhe dëshmitar ocular. Përfaqësuesi i bamorëve Kevi Muçllari ka shprehur argumentin e tij në mbrojtje të interesit publik, të interesit të banorëve që është në fshatin e tyre, që është administruar prej vitesh nga këta banorë. Ka dhënë argumentat ligjorë dhe morale që i takonin kësaj zone. Më pas është provokuar nga një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak që është në konflikt interesi, pasi është i punësuar në një prej ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Pogradecit dhe neni 47 i ligjit për qeverisjen vendore e ndalon një veprim të tillë”,- u shpreh Lale.

Fshati Cërrave pjesën më të madhe të ekonomisë e orienton tek blektoria ndërsa banorët nëpërmjet kësaj vendimmarrje nuk dihet se si do të veprojnë pasi më herët ishin shprehur kundër saj dhe në mbrojtje të kullotave të fshatit./ZËRI

Poll

MOS HUMB