ELBASAN-Pasditja e kësaj të premteje është shoqëruar me një përkeqësim të ndjeshëm të motit në Elbasan, ku një stuhi e fortë me reshje intensive shiu dhe erëra të fuqishme ka përfshirë qytetin. Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në disa akse rrugore, ndërsa era ka rrëzuar pemë dhe ka zhvendosur kontenierë mbeturinash, karrige e objekte të tjera në rrugë, duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Stuhia ka prekur edhe zona të tjera të qarkut, ndërsa ekipet përgjegjëse po monitorojnë situatën në terren për të evidentuar dëmet dhe për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të shmangin zonat ku ka prani të pemëve të dëmtuara apo rrugëve të përmbytura./ZËRI