TIRANË- Edhe pse i zhdukur prej më shumë se 3 vitesh, misteri që rrethon fatin e Ervis Martinajt është i madh, veçanërisht për shkak të ndikimit të tij në botën e krimit, përpara se të humbte çdo kontakt me familjen e tij. Në studion e emisionit Opinion, u diskutua në lidhje me kërkesën e babait të tij, për ta shpallur zyrtarisht të zhdukur Martinajn, kërkesë që u depozitua në Gjykatën e Lezhës. Sipas gazetarit Artan Hoxha, ai i qëndron versionit të dhënë që në momentin e zhdukjes së Martinajt, se ish-bosi i lojërave të fatit është vrarë dhe kufoma e tij është fshehur.
“Ai u zhduk në 9 gusht të 2022-it. Kam qenë këtu një ditë pasi isha në shtëpinë e tij, mes të tjerave shkova edhe për ngushëllim”, tha fillimisht Hoxha.
“Ka qenë diku rreth orës 17:00, të datës 9 gusht, a i keni hedhur gjë luanit u ka thënë familjarëve, ka qenë SMS i fundit. Më pas janë ndërprerë kontaktet”, shtoi më tej.
Po a ka ndonjë të dhënë të re për Martinajn?
“Ka shumë njerëz të zhdukur në këtë vend. Të gjithë si familje kanë mbaruar për ekonomi-biznes, janë shkolluar në të njëjtën degë të gjithë. Ai nuk është se erdhi nga krimi. Kundërshtarët e tij kërkonin dronë me lazer, që mbante lëndë eksplozive, se nuk i afroheshin dot. Fatin e tij ta kam thënë që atë ditë, Ervis Martinaj është eliminuar dhe kufoma e tij është zhdukur! Në Shqipëri nuk i fshihesh dot hasmit! Informacioni më i qëndrueshëm thonë se është kufoma është në tokë”, u përgjigj gazetari.
Hoxha tha mes të tjerave se sinjali i fundit i celularit të Martinajt është kapur në një rreze 30 km në vijë ajrore nga banesa e tij në Fushë Kuqe, dhe me gjasë sipas gazetarit, edhe vrasja e tij është kryer rreth kësaj zone. Sipas Hoxhës, policia ka kërkuar në tokë dhe në det, për gjurmët e Martinajt, pore dhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vite nga zhdukja e tij, ende nuk ka ndonjë person të ndaluar, që mund të japë indicie për zbardhjen e ngjarjes.
Ndaj Martinajt ka dy urdhër-arreste nga SPAK, ndërsa përgjatë viteve, ka patur kontrolle të shumta nga policia në disa banesa në zonën e Shijakut, Durrësit e Vlorës. Ndërkohë që sipas ish-prokurorit Eugen Beci, kërkesa e familjes së Martinajt është plotësisht legjitime, dhe bëhet kryesisht për administrimin e pronave dhe pasurive të tij, një pjesë e të cilave gjenden nën masën e sekuestros nga Prokuroria e Posaçme. Sipas Becit, pas 4 vitesh nga shpallja i zhdukur, Gjykatës i lind detyrimi që ta shpallë të vdekur Martinajn, sa kohë që nuk ka asnjë gjurmë të tij, dëshmuar dhe nga kontrollet policore. /ZËRI