Aktualitet

Çmimi i naftës! Shoqata e Transportit letër ministrave: 450 linja urbane në kryeqytet do të ndërpriten

Shoqata e Transportit kërkon informacion mbi ecurinë e shqyrtimit të kërkesave të tyre, ku kryesore mbetet vendosja e një mekanizmi kompensimi për karburantin dhe një kompensim prej rreth 100 lekë për litër

F.I
Çmimi i naftës! Shoqata e Transportit letër ministrave: 450
DOKUMENTI

TIRANË-Shoqata e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar ditën e sotme me një tjetër letër, ministrave të Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, lidhur me çmimin e naftës. Në letrën drejtuar ministrave dhe Bashkisë Tiranë, shoqata ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme me një paketë mbështetëse për të vijuar me aktivitetin.

Shoqata e Transportit kërkon informacion mbi ecurinë e shqyrtimit të kërkesave të tyre, ku kryesore mbetet vendosja e një mekanizmi kompensimi për karburantin dhe një kompensim prej rreth 100 lekë për litër. Ata kërkojnë pa vonesë trajtim të elementeve fiskale që rëndojnë mbi operatorët, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në.  Mes rreshtash, Shoqatat e Transportit paralajmërojnë se nëse problemet e tyre nuk adresohen nga qeveria, shërbimi i ofruar nga 450 linja urbane në kryeqytet do të ndërpritet.

Shoqata thotë se pa ndërhyrjen e qeverisë, prej javës së ardhshme mund të rrezikohet vijimësia e shërbimit të transportit publik. Ata theksojnë se sektori i transportit publik ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, si pasojë e rritjes së ndjeshme të kostove operative për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, shtrenjtimit të mirëmbajtjes, kostove të pjesëve të këmbimit dhe detyrimeve fiskale.

LETRA:

Në vijim të takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026, ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve dhe përfaqësuesve të sektorit të transportit publik, po ju drejtohemi sërish në emër të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, për të kërkuar informacion lidhur me ecurinë e shqyrtimit të kërkesave tona, si dhe për të kërkuar ndërhyrje të menjëhershme emergjente në mbështetje të këtij sektori.

Deri në këtë moment, pavarësisht problematikës së rënduar dhe urgjencës së situatës, nuk është zhvilluar takimi vijues i premtuar për tu mbajtur me datë 07.04.2026 , nuk kemi marrë asnjë reagim zyrtar, informacion konkret apo qëndrim institucional mbi mënyrën se si do të trajtohen kërkesat e paraqitura prej nesh dhe mbi masat që parashikohen për të ndihmuar operatorët e transportit publik. Kjo mungesë informacioni dhe mungesë reagimi po e rëndon më tej pasigurinë financiare dhe operacionale të subjekteve që ushtrojnë këtë veprimtari.

Siç është bërë e qartë edhe gjatë takimit, sektori i transportit publik ndodhet në një situatë tejet të vështirë ekonomike, si rezultat i rritjes së ndjeshme të kostove operative, në veçanti të karburantit, mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit dhe detyrimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me ofrimin e shërbimit.

Në mungesë të një ndërhyrjeje të shpejtë dhe konkrete nga ana e institucioneve përgjegjëse, operatorët nuk do të kenë mundësi financiare për të përballuar vazhdimin normal të aktivitetit nga java e ardhme. Për rrjedhojë nese institucionet nuk reagojnë, siç e theksuam edhe me lart, nga java e ardhshme do të vihet seriozisht në rrezik vijimësia e shërbimit publik për qytetarët.

Për këtë arsye, kërkojmë që të na vihet në dispozicion, në mënyrë sa më të shpejtë, një informacion i qartë mbi hapat që po ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me kërkesat tona, si dhe mbi afatet konkrete brenda të cilave pritet të ketë një vendimmarrje. Zvarritja e kësaj çështjeje për një kohë të pacaktuar e bën situatën të papërballueshme dhe e çon sektorin drejt pamundësisë reale për të garantuar shërbimin.

Ritheksojmë se kërkesa jonë kryesore, e paraqitur edhe pas takimit të parë, lidhet me nevojën për miratimin e një pakete emergjente mbështetëse, konkretisht me vendosjen e një mekanizmi të kompensimit financiar për karburantin sikurse VKM nr.225, dt 13.04.2022,  në një nivel që të reflektojë rritjen reale të kostos dhe të mundësojë stabilizimin e menjëhershëm të situatës. Një masë e tillë është thelbësore për të shmangur reduktimin e flotës, uljen e frekuencës së shërbimit dhe përkeqësimin e mëtejshëm të funksionimit të transportit publik.

Sektori i transportit publik përfaqëson një shërbim me rëndësi të veçantë publike dhe sociale. Për pasojë, mosndërhyrja në kohë nuk prek vetëm operatorët ekonomikë, por cenon drejtpërdrejt interesin publik, qytetarët përdorues të këtij shërbimi dhe funksionimin normal të jetës urbane dhe ndërurbane. Për sa më sipër, kërkojmë:

Informim të menjëhershëm zyrtar mbi ecurinë e shqyrtimit të kërkesave tona pas takimit të datës 01.04.2026;

Përcaktimin e një qëndrimi konkret institucional lidhur me masat që do të merren për mbështetjen e sektorit;

Ndërhyrje urgjente për miratimin e një pakete mbështetëse emergjente, me qëllim shmangien e kolapsit financiar të operatorëve dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit publik”, theksohet në letrën e shoqatave.

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB