
TIRANË- 3 orë është zhvilluar mes debateve dhe përplasjeve seanca e sotme gjyqësore për dosjen "Metamorfoza". Gjyqi, sot, u shoqërua me debat mes dy prokurorëve Arben Kraja e Altin Dumani, dhe avokatët e të pandehurve. Pika për të cilën përplasen palët janë përgjimet e siguruara nga aplikacioni "SkyECC". Mbrojtja e të pandehurve pretendon se mesazhet që janë transkriptuar nuk janë dokumente apo fakte siç janë pretenduar deri më tani nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por thjesht përgjime!
Kështu që duke argumentuar qëndrimin e tyre, të akuzuarit kundërshtojnë mënyrën sesi janë tërhequr nga ana e SPAK, aktet që janë vendosur në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Në seancë, gjykim të shkurtuar ka kërkuar ish-prokurori Xhevahir Lita, Oltion Bistri dhe Asmer Bilali. Kërkesa e tyre do të shqyrtohet në treshen gjykuese, ndërsa biznesmeni Pëllumb Gjoka ka vendosur që të ketë gjykim të zakonshëm dhe të pandehurit e tjerë. Në këto kushte, seanca u shty për shkak të mbarimit të orarit zyrtar dhe do të vijojë më datë 8 tetor.
Po ashtu, në seancë u përmend edhe kërkesa që kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese avokatët e Pëllumb Gjokës, të cilët kërkojnë pavlefshmërinë e komunikimeve "SkyECC". Padia ka kaluar në dhomë këshillimi, ndërsa pritet të caktohet një datë për shqyrtimin e saj nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për të njëjtën padi, SPAK kërkon që "Kushtetuesja" të rrëzojë ankimimin, pasi përgjimet e aplikacionit i konsideron prova të ligjshme. Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse komunikimet në platformën “Sky ECC” do të mund të shërbejnë si prova ose jo në Gjykatë. Deskriptimi i bisedave nga agjensitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre. Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve.
Por ka një problem!
Më 2 maj të këtij viti, Gjykata Europiane e Drejtësisë ka rrëzuar përdorimin si provë në proceset gjyqësore penale, të bisedave të përfituara në mënyrë joligjore nga rrjetet e kriptuara Encrochat dhe SkyeCC. Gjykata kërkon që provat e dërguara nga gjykata franceze me Urdhërin Europian të Hetimit Penal, të verifikohen nga autoritet gjyqësor i vendeve të tjera, nese janë marrë në përputhje me procedurën e parashikuar nga legjislacioni i brendëshem dhe nëse janë në harmoni me parimet e të drejtës së shtetit përkatës./ZËRI