
KROACI- Klevisa Ymeri, 29-vjeçarja shqiptare, e cila shkaktoi aksidentin në Kroaci ku humbën jetën motër e vëlla Stjepan dhe Katarina Derek, është dënuar me 4 vite burg. Aksidenti ndodhi në prill të këtij viti dhe e reja shqiptare u akuzua për shkaktimin e një aksidenti me pasoja fatale. Sipas mediave kroate, Jonuz Alija, pasagjer në veturën "Mercedes" të Ymerit, dëshmoi gjithashtu sot në gjyq.
PAMJE NGA GJYQI:
"Unë dhe shoku im Armalindo Docano u nisëm nga Milano për në Shqipëri me një Mercedes. Me ne ishte Klevisa dhe gruaja e kushërirës së Armalindos, Diana. Këto të dyja po na ndiqnin pas më "BMW". Klevisa mori drejtimin e mjetit Mercedez për shkak se shoferi u lodh. Po ecnim pas njëri-tjetrit, unë po flisja me familjen në celular, kur në një moment, në mënyrë refleksive ndjeva se makina kaloi shumë shpejt, dhe atëherë ngrita kokën dhe pashë tym. Kur arrita te makina e parë, dhashë ndihmën e parë, por shpejt kuptova se nuk mund të bëhej asgjë më shumë. Klevisa ka dalë nga makina dhe si pasojë e përplasjes ka rënë pa ndjenja,"-tregoi dëshmitari.
Në fjalën përmbyllëse, zëvendësprokurorja e shtetit Katarina Šosha dhe përfaqësuesi i familjes Đerek, avokati nga Zagrebi Zvonimir Bodrožić, njëzëri theksuan se e pandehura është fajtore. Ndërkohë që avokati i shqiptares, theksoi se eksperti që ka qenë në vendin e ngjarjes, ka nënvizuar se Ymeri kishte tentuar që të mos parakalonte kur kuptoi se një tjetër mjet po i vinte përballë, por e kishte humbur kontrollin e mjetit. Ai po ashtu shtoi se klientja e tij ishte në gjendje shoku, gjë që është krejt normale për shkak të moshës, por edhe sepse nuk donte që të vriste askënd.
"Ne po ecnim me shpejtësi 60 deri në 70 kilometra në orë dhe kur pashë se një Mercedes kishte parakaluar një automjet përpara meje, bëra shenjë të parakaloja dhe më pas pashë një automjet tjetër që vinte nga drejtim të kundërt me shpejtësi të lartë. U përpoqa të mos parakaloja, por gjithçka ndodhi shpejt dhe pati një përplasje,"-tha ajo, më pas shtoi se nuk mbante më mend asgjë tjetër për shkak të tronditjes që kishte pësuar.
Mirëpo edhe pse e reja u dënua me 4 vite burg, familja Đerek janë shprehur të tronditur pas shpalljes së dënimit, duke shtuar se kërkojnë që të apelojnë vendimin.
Aksidenti ka ndodhur më 9 prill rreth orës 20:40 në qytetin Ratac, kur Ymeri, duke përdorur një automjet me targa sllovake, ka parakaluar mjetin përballë saj, lëvizje që shkaktoi në përplasje kokë me kokë me mjetin me të cilin udhëtonin dy viktimat, motër e vëlla, Stefan dhe Katartina. Të dy mbetën të vdekur në vend, ndërsa Ymeri pësoi lëndime të lehta. Pasi doli nga spitali më 12 prill, ajo u transferua në qendrën e paraburgimit. E më pas u lirua me garanci pasurore. Tani me vendimin e shkallës së parë, shqiptarja do të rikthehet sërish në qeli./ZËRI