
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar procedurën për gjykim të shkurtuar për 6 të pandehur të dosjes "Metamorfoza 2". Procesi i gjykimit të shkurtuar është pranuar për Dedan Gjonin, Adrian Cenajn, Bujar Ajetin, Besmir Muratin, Ismail Zenelin dhe Albert Prengën. Por ndryshe nga ta, ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Erzen Breçani ka kërkuar që të gjykohet me procedurë normale.
"Unë kam arsyet e mia përse nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar,"-kështu u shpreh në sallë Breçani. Kjo edhe sepse prokurori i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Vladimir Mara deklaroi se Breçani ka përdorur kodin e Nuredin Dumanit në aplikacionin ‘SkyECC’. Por ndryshe nga të gjithë të akuzuarit e tjerë që kanë dalë sot në gjyq, Breçani ka folur para togave të zeza duke dhënë sqarimet e tij për akuzat që i janë ngritur për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit.
"Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese,"-tha ndër të tjera ish-zyrtari.
Në fund të seancës, GJKKO shpalli moskompetencë për Breçanin dhe ish-policen e Interpol, Jonida Babameto, e cila akuzohet për shpërdorim detyre. Të dyja këto dosje i kanë kaluar Gjykatës së Tiranës. Vendimi u mor pasi gjatë shqyrtimit të dosjes ne seanncë paraprake nuk u provua se si Breçan, edhe ish-zyrtarja e Policisë kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndaj edhe do gjykohen me procedurë të zakonshme në Gjykatën e Tiranës. Po ashtu, GJKKO ka ndarë nga ky proces të pandehurit e tjerë të çështjes; djalin e Erzen Breçanit, Eralbi Breçanin; Ervin Matën; Artan Sulejmanin dhe Bajram Grabovën. Të gjithë janë të shpallur në kërkim që prej nëntorit të vitit 2023.
Hetimet për dosjen u mbyllën në gusht të vitit që lamë pas. SPAK dërgoi për gjykim 11 persona, mes tyre edhe ish-funksionarët e Policisë së Shtetit, Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni. Të gjithë akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal me role dhe detyra specifike nga financimi dhe porositja, deri te transporti e shpërndarja e lëndëve narkotike. Droga vinte nga vendet e Amerikës Latine,e siguruar nga i ndjeri Ergys Dashi dhe më pas shpërndahej nëpër Europë nga Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit. Si porositës dhe financues të blerjes së drogës janë identifikuar Ismail Zeneli, Artan Sulejmani dhe Eralbi Breçani. Sipas SPAK, Erzen Breçani pastronte paratë e grupit. Grupi shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare, në këtë rast Dedan Gjoni dhe Jonida Babameton, në mënyrë që disa prej anëtarëve të grupit t'i shpëtonin drejtësisë. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë dhe në disa tentativa vrasjeje. Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajetin, Adrian Cenajn dhe Dedan Gjonin kanë bashkëpunuar për të vrarë Edmond Nelën, Albert Nelën dhe Xhem Krasniqin. Po ashtu, rezulton se Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur vrasësin me pagesë, tashmë të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani që të kryente disa vrasje për llogari të personave të lartpërmendur. Madje Cenaj dhe Ajeti e kanë strehuar disa herë Dumanin në mënyrë që t'i shpëtonte Policisë. Por edhe pse është ende në kërkim, SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Ervin Matës./ZËRI