TIRANË-Më 8 shtator mbahet seanca në Apelin e Posaçëm për ish-presidentin Ilir Meta, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë. Trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm do të vendosë nëse Meta do të vijojë të qëndrojë në qeli, apo do të përballet me procesin gjyqësor kundër tij në gjendje të lirë.
Në seancën e fundit Gjykata e Posaçme nuk pranoi kërkesën me argumentin se pozita ndaj tij është rënduar dhe se mund të prishë hetimet dhe ndikojë të dëshmitarët. Avoktatët e Metës kanë sugjeruar një masë më të butë si ajo e bllokimit të pasaportës, me pretendimin se nuk ka asnjë rrezik që klienti i tyre të largohet apo të arratiset nga vendit.
Njoftimi:
Ju vëmë në dijeni, se më datë 08.09.2025, ora 10:00, në sallën e gjykimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar gjykimi në shkallë të dytë, i kërkesës penale, me nr. 194 regjistri themeltar, me:
ANKUES: Ilir Metaj
OBJEKTI: Ankim ndaj vendimit nr. 546, datë 13.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimi i masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg”, për shtetasin Ilir Metaj, akuzuar për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Neni 260, i Kodit të Procedurës Penale.
BAZA LIGJORE: Kjo gjykatë është vënë në lëvizje edhe mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri që ju përfaqësoni. Mosparaqitja juaj pa shkaqe te arsyeshme, do të shkaktojë zëvendësimin tuaj me mbrojtës kryesisht, të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI