KORÇË-Tre të rinj u arrestuan pranë Qafë Thanës në kuadër të operacionit “Ngarkesa”, duke transportuar me automjet rreth 6 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Tre të rinjtë, dy prej tyre nga Tirana dhe një nga Lezha, po udhëtonin së bashku me një automjet të vendosur në karrotrec, kur janë ndaluar nga policia në afërsi të Qafë Thanës. Në karroceri ishte ngarkuar nje automjet tip "Volkswagen", në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë 5. 7 kg.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Ngarkesa”.
Transportonin 5.7 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, kapen në flagrancë në aksin rrugor "Prrenjas-Pogradec" dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, 2 automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 1 jave, për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Korçë, finalizuan operacionin e koduar "Ngarkesa".
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. T., 27 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. H., 25 vjeç, banues në Shëngjin.
Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor "Prrenjas-Pogradec", duke qarkulluar një automjet me karroceri që drejtohej nga shtetasi J. P. Në karroceri ishte ngarkuar nje automjet tip "Volkswagen", në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë 5. 7 kg.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. T. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.