
TIRANË-Në GJKKO u mbajt seanca e parë e themelit për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe zv.kryetari Abedin Kërnaja. Byberi, së bashku me zëvendësin e tij, Abedin Kërrnaja, akuzohen për shpërdorim detyre, me dëm financiar që kalon 277 milionë lekë. Sipas SPAK, ata janë përgjegjës për dëmtimin e sipërfaqeve pyjore gjatë ndërtimit të dy rrugëve, duke mos u konsultuar me institucionet përkatëse.
Në seancën e sotme kryebashkiaku u shpreh se nuk është i dënuar me parë dhe nuk ka marrë asnjë vërejtje në 35 vite punë. Prokurori i SPAK Elvin Gokaj, lexoi kërkesën për gjykim dhe kërkoi të thirren në proces 10 dëshmitarë si dhe bëri me dije emrat që janë pyetur gjatë kësaj kohe në cilësinë e personave që kanë dijeni.
Një njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhej se për nisjen dhe kryerjen e punimeve, në këto dy akse rrugore, duhej të aplikohej në sistemin elektronik ‘e-leje’, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, për këto lloj punimesh.
Po ashtu, sipas SPAK, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, konkretisht me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit./ZËRI