SPANJË- Një grup kriminal është goditur në Spanjë, në kuadër të bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato spanjolle. Si rezultat, janë arrestuar 5 anëtarë të grupit, 4 prej tyre janë shtetas shqiptarë. Gjithashtu janë sekuestruar 10,590 euro, 4 orë dore, 1 automjet dhe çanta të markave të shtrenjta si edhe një automjet.
Sipas njoftimit të policisë bëhet me dije se autoritetet homologë kanë bashkëpunuar për rreth 2 vjet për zhvillimin e këtij operacioni. Në vijim të këtij bashkëpunimi, në janar 2026, blutë e Lezhës kapën njërin prej anëtarëve të këtij grupi kriminal, Ardit Isufi.
Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi apo përdorim të pjesëtarëve të grupit. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Njoftimi i policisë:
Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga Policia spanjolle.
Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.
Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I.
Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit.
Vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.