Aktualitet

"I dhashë para, por nuk e pashë kur..."/ Përplasën për vdekje 7-vjeçarin në Tiranë, lirohen nga burgu dy shoferët!

Prokuroria kërkoi masën "arrest me burg" për Shukullin dhe "arrest shtëpie" për Koltrakun, por gjykata për të dy vendosi një masë më të butë.

zh.ll
"I dhashë para, por nuk e pashë kur..."/ Përplasën
pamje nga aksidenti

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia me masën "arrest shtëpie" Tomorr Shukulli dhe Valentina Koltraku, të cilët u arrestuan për aksidentin me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari. Prokuroria kërkoi masën "arrest me burg" për Shukullin dhe "arrest shtëpie" për Koltrakun, por gjykata për të dy vendosi një masë më të butë.

Burime bëjnë me dije se gjatë deklarimeve para togave të zeza në gjykatë, të dy ata kanë shprehur tronditjen e tyre për këtë ngjarje të rëndë, duke theksuar se aksidenti ka qenë i paqëllimshëm.

Gjatë deklarimeve para gjykatës, Shukulli ka deklaruar se kishte ndaluar dhe i kishte dhënë disa para të miturit, të cilat i ishin rënë në tokë. Ai deklaroi se nuk e kishte vënë re fëmijën dhe, me ndezjen e semaforit, makina e tij kishte goditur fëmijën që po përpiqej të merrte paratë. Ndërkohë, Valentina Koltraku tha se kishte qenë menjëherë pas fuoristradës dhe nuk kishte pasur pamje të qartë të ngjarjes.

Dinamika e ngjarjes:

Sipas burimeve, fillimisht 55-vjeçari Tomor Shukulli i ka dhënë disa monedha 7-vjeçarit, të cilat i kanë rënë në tokë. Në këtë moment, i mituri ka dalë para makinës për t'i marrë, por menjëherë është hapur jeshilja dhe e ka përplasur makina. Por, goditjen fatale ia dhënë makina e dytë mbrapa, me drejtuese 42-vjeçarja Valentina Selman Koltraku. I mitur ka përfunduar poshtë gomave të makinës, ndërsa 42-vjeçarja ka vijuar rrugën dhe është larguar.

Më pas, 55-vjeçari ka ndaluar makinën menjëherë pasi ka dëgjuar njerëzit në rrugë duke bërtitur. Shukulli e ka dërguar fëmijën te Spitali i Traumës, ndërsa fillimisht ka deklaruar se nuk e kishte përplasur ai. Sipas tij, ka dëgjuar të bërtiturat e njerëzve dhe kur ka dalë ka parë fëmijën të aksidentuar, dhe e ka çuar në spital, por jo se ai ka qenë i pari që e ka përplasur.

Fillimisht aksidenti u raportua se një makinë kishte përplasur një të mitur. Më pas, zbardhja e ngjarjes është bërë nga kamerat në distancë dhe dëshmitë. Por, zbardhja e plotë është bërë pak më vonë, pasi është gjetur një kamer me pamje të qartë që tregon dinamikën e aksidentit.

Aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e 24 shkurtit, rreth orës 11:20 në rrugën “Kastriotët” në Tiranë. 7-vjeçari u përplas nga dy automjete njëri pas tjetrit, shoferët u larguan, por u identifikuan më pas dhe janë arrestuar ndërkohë që hetimet vazhdojnë për përcaktimin e saktë të përgjegjësive ligjore./ZËRI

Poll

MOS HUMB