
SHËNGJIN- Sot në Shëngjin zbarkoi anija “Libra” e Marinës italiane ku solli emigrantët e parë që do të vendosen përkohësisht në kampin e Gjadrit. Deri më tani në vendin tonë kanë ardhur 16 emigrantë meshkuj me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi. Ky zhvillim ka sjellë reagime nga banorët e Gjadrit të cilët kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë. Banorët protestuan në hyrje të kampit me pankarta ku shkruhej: Ëndrra evropiane përfundon këtu!
Një nga protestueset tha se kjo marrëveshje cënon të drejtat e njeriut dhe është jo kushtetuese. Ajo tha se qeveria italiane po përpiqet të zgjidhë krizën e emigrantëve, duke i rënë në qafë popujve të tjerë.
"Kërkesa jonë që në fillim që e kemi marrë vesh, ka qenë që marrëveshja të shpallet jo kushtetuese. GJK për fat të keq ka vendosur që marrëveshja nuk është jokushtetuese, në gjykimin tonë kjo marrëveshje cenon të drejtat e njeriut. Praktikë jodemokratike dhe shkelen të drejtat e njeriut. Ne do të vazhdojmë të ngremë narrativën tonë, për të treguar që Perëndimi po mbështet liderë autokratikë si Rama dhe Meloni dhe kriza e emigrantëve nuk është një krizë që zgjidhet duke i rënë në qafë disa popujve të tjerë", tha ajo.
Anija "Libra" mbërriti sot në mëngjes në Shëngjin, ku solli 16 refugjatët e parë nga Italia në Shqipëri dhe do të strehohen në kampin e Gjadrit në Lezhë. Bëhet me dije se klandestinët e parë janë të gjithë meshkuj dhe janë nga Bangladeshi dhe Egjipti.
“Libra” u nis nga Lampedusa dy ditë më parë. Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. /ZËRI