
SHËNGJIN- Anija "Libra" e Marinës italiane me refugjatet e parë është afruar në brigjet e Shëngjinit. Në anijen “Libra” janë 16 refugjatët e parë, që sillen nga Italia në Shqipëri dhe do të strehohen në kampin e Gjadrit në Lezhë. Bëhet me dije se klandestinët e parë janë të gjithë meshkuj dhe janë nga Bangladeshi dhe Egjipti.

“Libra” u nis nga Lampedusa dy ditë më parë. Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike, ashtu edhe juridike. Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjader ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali.
Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë në pikëpyetje edhe listën e 22 vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”: për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë në shënjestër të diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.
Në kamp, prej muajsh tashmë janë kryer punime restauruese dhe përgatitore, që nga aktivizimi i rrjeteve të ujësjellës kanalizimeve, tek kamerat dhe pajisjet e sigurisë. Brenda godinës do të ketë gjithashtu edhe një staf të UNHCR-së për të monitoruar respektimin e të drejtave të refugjatëve. Kërkesat për azil që kanë depozituar emigrantët do të shqyrtohen brenda 4 javësh.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. /ZËRI