Aktualitet

Mbërritja e anijes “Libra” me 16 emigrantët e parë, Policia: Kemi marrë të gjitha masat për sigurinë

Policia njoftoi se janë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe pasi refugjatët të përfundojnë procedurat në qendrën e pritjes në Shëngjin

I.F
Mbërritja e anijes “Libra” me 16 emigrantët e parë,
Anija Libra

SHËNGJIN- Anija "Libra" e Marinës italiane me refugjatet e parë është ankoruar tashmë në brigjet e Shëngjinit. Në anije janë 16 emigrantët e parë nga Egjipti dhe Bangladeshi që do të strehohen në kampin e Gjadrit në Lezhë. Policia njoftoi se janë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe pasi refugjatët të përfundojnë procedurat në qendrën e pritjes në Shëngjin, ata do të akomodohen në kampin e ndërtuar në Gjadër.

“Në portin e Shëngjinit u ankorua anija “Libra” e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare”, njofton policia.

“Libra” u nis nga Lampedusa dy ditë më parë. Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. 

Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike, ashtu edhe juridike. Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjader ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali. /ZËRI

Poll

MOS HUMB