MËNIK- Një situatë shqetësuese paraqitet në lumin Erzen, në afërsi të urës së fshatit Mënik. Në videot e publikuara,m duke se gjendja e lumit është alarmante, që i ngjan një kanali të mbushur me ujëra të ndotura dhe mbetje, sesa një prej pasurive natyrore më të rëndësishme të vendit.
Nga ajo që shihet në pamje, lumi duket i degraduar rëndë, çka ngre shqetësime serioze për ndotjen e mjedisit dhe dëmtimin e ekosistemit. Dyshimet janë se në të shkarkohen mbetje dhe lëndë të ndryshme ndotëse, duke e kthyer shtratin e tij në një zonë të ndotur.
Përballë kësaj situate, ende nuk ka një reagim të nstitucioneve përgjegjëse, të cilat duhet të kryejnë verifikimet përkatëse, të identifikojnë burimin e ndotjes dhe të marrin masa për ndalimin e këtij krimi mjedisor.
Lumi Erzen është 108 kilometra i gjatë dhe ka një pellg ujëmbledhës prej 769 kilometrash katrorë. Ai buron nga Mali me Gropa, rreth 1.200 metra mbi nivelin e detit, pranë Shëngjergjit, rreth 25 kilometra në lindje të Tiranës, dhe derdhet në Gjirin e Lalëzit, në veri të Durrësit.
Sipas të dhënave historike, albanologu dhe eksploratori Johann Georg von Hahn ka përmendur se Erzeni ka dy burime: një në zonën e Shëngjergjit dhe një tjetër në Shëmëri. Në rrjedhën e sipërme lumi kalon në një shtrat të ngushtë shkëmbor, ndërsa më tej shtrihet në një shtrat me zhavorr, i cili derdheT në Detin Adriatik.
Erzeni ka qenë prej vitesh një ndër lumenjtë më të njohur për peshkimin, falë larmisë së specieve që strehohen në ujërat e tij, si mustaku, ngjala, karasi dhe lloje të tjera peshqish./ZËRI