TIRANË- Salarjon Totaj, bashkëshorti i deputetes socialiste, Elisa Spiropali, është vënë nën hetim në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka kërcënuar një zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përmes mesazheve në telefon.
Sipas burimeve, gjithçka ka nisur pas një kontrolli tatimor të ushtruar në një biznes në qarkun e Fierit, i cili rezulton të jetë në pronësi të motrës së Totajt. Pas këtij kontrolli, ai dyshohet se i ka dërguar mesazhe fyese dhe kërcënuese shefes së Hetimit dhe Kontrollit Tatimor.
Menjëherë më pas, zyrtarja ka kallëzuar rastin në polici. Ditën e sotme, Totaj është paraqitur dhe marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mësohet se ka pranuar se mesazhet janë dërguar prej tij. Gjatë deklarimeve, ai ka pretenduar se kontrolli ishte i padrejtë dhe i motivuar politikisht.
Totaj po hetohet në gjendje të lirë për veprat e dyshuara të kanosjes për shkak të detyrës dhe fyerjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.