TIRANË- Hetimet për një nga fraksionet e ndara të dosjes “Metamorfoza” kanë përfunduar dhe Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 9 të pandehur.
Ky fraksion i dosjes përfshin persona të njohur të botës së krimit, mes të cilëve edhe ish-bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Disa të pandehuri janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar nga policia e shtetit prej gati 3 vitesh.
Konkretisht në kërkim:
Ervis Martinaj (një prej personave më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare)
Klaodor Hakaj
Prekë Kodra
Bardhyl Mavra
Eljon Hato
Arsad Bashli
Ndëkrohë që të pandehurit me masë sigurie, të arrestuar janë:
Aleks Ndreka (i njohur si “Leksi i Druve” – i arrestuar)
Denis Bajri / Brajovic (i arrestuar)
Gjithashtu, hetimet u mbyllën edhe për Nuredin Dumanin, person që po gjykohet edhe në megaoperacionin "Plumbi i Artë". Ky i fundit mbahet në masën e sigurisë arrest në burg dhe ka statusin bashkëpunëtor i drejtësisë.
Ndaj të gjithë grupit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërkohë, çështja ka zbritur në GJKKO dhe pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin i cili do marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë, për kalimin ose jo të çështjes në gjyq./ZËRI